Komisioni i Integrimit Europian miratoi 4 projektligje, pjesë e paketës ligjore për transportin hekurudhor

  • Postuar më, 16/06/2021

16 qershor 2021

Komisioni i Integrimit Europian në drejtimin e kryetares, znj.Rudina Hajdari dhe në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi në mbledhjen virtuale të radhës shqyrtoi 4 projektligje, pjesë e paketës ligjore për transportin hekurudhor.   Të ftuar për prezantimin e nismave ishin z.Etjen Xhafaj, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe stafi teknik i MIE.

Z.Xhafaj prezantoi përpara komisionit risitë, qëllimet dhe objektivat e projektligjeve: “Për krijimin e Autoritetit të Sigurisë Hekurudhore”, “Për krijimin e Autoritetit Rregullator Hekurudhor”, “Për ndarjen e shoqërisë “Hekurudha shqiptare” sh.a.”, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Autoritetit Kombëtar të Investigimit të aksidenteve dhe incidenteve hekurudhore dhe detare”.  Fillimisht z.Xhafaj sqaroi se projektligjet janë pjesë e një pakete ligjore në kuadër të reformës së deregulimit dhe projekteve të asistencës teknike të BE-së në lidhje me sektorin hekurudhor.  “Kjo paketë është hartuar në përputhje me ligjin nr. 142/2016, “Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë”, duke u mbështetur në dy parimet bazë të Kodit Hekurudhor që janë:  hapja e tregut hekurudhor dhe sigurimi i zhvillimeve teknologjike për një transport ndërveprues dhe të sigurt”, parashtroi z.Xhafaj, duke shtuar se paketa ligjore është në përputhje me Planin Kombëtar të Transportit Shqiptar, direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Evropian, si dhe janë pjesë e planit të projekt-akteve të sektorit hekurudhor të planifikuar për t’u adoptuar në Traktatin e Komunitetit të Transportit. Zëvendësministri Xhafaj sqaroi më tej se krijimi i organeve rregullatore hekurudhore do të bëjë të  mundur rritjen e iniciativave të subjekteve private të vendit dhe të atyre huaja për të marrë pjesë me investime në këtë treg.

Pas diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi 4 projektligjet në fjalë. Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua nëpërmjet platformës virtuale të komunikimit “Cisco Webex”.


Share