Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publikë shqyrtoi kërkesën e Këshillit Drejtues të RTSH-së për rritjen e masës së shpërblimit mujor të anëtarëve të këtij Këshilli

  • Postuar më, 17/06/2021

17 qershor 2021

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publikë, në drejtimin e kryetarit  z. Ramazan Gjuzi në mbledhjen virtuale të radhës shqyrtuan kërkesën e Këshillit Drejtues të RTSH-së, për rritjen e masës së shpërblimit mujor të anëtarëve të këtij këshilli. Në fjalën e saj nënkryetarja e këtij komisioni, znj. Mirela Kumbaro, e vlerësoi si të rëndësishme dhe impenjative punën e Këshillit të RTSH dhe e konsideroi me vend kërkesën e tyre, për rritjen e masës së shpërblimit mujor të anëtarëve të këtij Këshilli.

Deputeti Musa Ulqini në fjalën e tij u ndal jo vetëm në kërkesën e Këshillit për rritjen e masës së shpërblimit mujor të anëtarëve të tij, por dhe në nevojën për hapjen e vakancës për drejtuesin e RTSH, pas përfundimit të mandatit të z. Thoma Gëllçi.  

Më tej, dy anëtarët e komisionit znj. Vilma Bello dhe z. Ulqini propozuan dërgimin e dy kërkesave shtesë drejtuar njëra Ministrisë së Financave lidhur me rritjen e masës së shpërblimit mujor të anëtarëve të këtij Këshilli, si dhe një kërkesë ku Komiteti Drejtues i RTSH të argumentojë një raport më të detajuar me argumentimin ligjor lidhur me kërkesën e tyre për rritjen e masës së shpërblimit mujor. 

Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit, miratuan në unanimitet dy kërkesat drejtuar dy institucioneve të lartpërmendura.   Mbledhja e sotme e komisionit  u zhvillua përmes platformës virtuale të komunikimit “Cisco Webex”.


Share