Strasburg, delegacioni i përhershëm i Kuvendit të Shqipërisë pranë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, mer pjesë në punimet e sesionit të radhës të Asamblesë

  • Postuar më, 21/06/2021

Delegacioni i përhershëm i Kuvendit të Shqipërisë pranë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i përbërë nga z. Ervin Bushati, kryetar, znj. Eglantina Gjermeni, znj. Klotilda Bushka dhe z. Arlind Çaçani, anëtarë, po ndjek punimet e sesionit të radhës të Asamblesë që zhvillohet më 21-24 qershor 2021, në Strasburg.

Gjatë sesionit, Asamblesë do t’i drejtohen Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, z. Péter Szijjártó, si edhe Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, znj. Marija Pejcinovic Buric. Një vëmendje e veçantë gjatë këtij sesioni i është kushtuar edhe 10-vjetorit të Konventës të Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (Konventa e Stambollit). 

Në agjendën e punimeve të Asamblesë ishte parashikuar edhe debati mbi raportin e monitorimit të zgjedhjeve të zhvilluara më 25 prill 2021 në Shqipëri. Raporti i miratuar nga asambleja i vlerëson zgjedhjet në përputhje me standartet, ku votimi ishte i qete, i sigurt dhe korniza ligjore siguron respektimin e lirive themelore dhe është një bazë e përshtatshme për zgjedhjet demokratike. Raporti nënvizon reformimin e KQZ si një institucion i mirëorganizuar dhe transparent, perdorimin e teknologjive të reja si identifikimi dhe votimi elektronik që forcuan besimin e procesit zgjedhor.

Në fjalën e tij, z. Aleksander Pociej, anëtar i delegacionit polak, Kryetar i Delegacionit të APKiE që vëzhgoi bashkë me misionin e OSBE/ODHIR zgjedhjet e 25 Prillit në vendin tonë, nga grupi i Partive Popullore Evropiane, i vlerësoi zgjedhjet në përputhje me standartet dhe theksoi se raporti i konfirmon këto konkluzione.  Ndersa, z. Stefan Schennach, anëtar i delegacionit austriak, nga grupi parlamentar i Socialistëve në APKiE, mbështeti kryetarin e misionit të vëzhgimit në Shqipëri, Z.Pociej dhe shtoi se Shqipëria nuk i ka më problemet që APKiE ka konstatuar në zgjedhjet e viteve të kaluara. Anëtarët e APKiE që diskutuan gjatë debatit theksuan se kanë mbetur të surprizuar nga progresi domethënës që ka bërë Shqipëria me reformat e ndërmarra. Ndërkohë, z. Antonio Guiterres, anëtar i delegacionit spanjoll në APKiE, ndër të tjera, theksoi rëndësinë e thirrjes sa më parë të konferencës ndërqeveritare për fillimin e negociatave të anëtarësimit me BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe kërkoi nga APKiE të mbështesë dhe ndihmojë që kjo të ndodhë.

 

Delegacioni do vijojë të marrë pjesë të punimet dhe debatet e asamblesë ditët në vijim ku do të diskutohet mbi çështje si: kriza socio-ekonomike e shkaktuar nga Covid 19; ndikimi i pandemisë së Covid 19 në të drejtat e fëmijëve;  liria e medias, politika evropiane për diasporën etj.  Më datë 23 qershor, Asambleja do diskutojë raportin “Rritja e pjesëmarrjes në vendimmarrje politike dhe publike të grave nga grupet e nënpërfaqësuara”, raportere e të cilit është anëtarja e delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë, znj. Eglantina Gjermeni.  Gjatë sesionit do votohet edhe për zgjedhjen e gjyqtarëve në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ku si pjesë e komisionit përzgjedhës të kandidaturave që i përcillen Asamblesë për votim është edhe znj. Klotilda Bushka. 


Share