Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti Ministrin e Transportit të Kroacisë z. Oleg Butkovic: Të forcojmë Partneritetin Strategjik midis të dy vendeve

  • Postuar më, 13/07/2021

13 korrik 2021

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti Ministrin e Çështjeve Detare, Transportit dhe Infrastrukturës së Kroacisë, z. Oleg Butkovic, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Tiranë.

Kryetari Ruçi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Kroacisë, të cilat po zhvillohen në frymën e Partneritetit  Strategjik, bazuar në marrëveshjen e nënshkruar më 04 dhjetor 2018 nga Kryeministrat Rama dhe Plenkovic. Z. Ruçi falenderoi qeverinë kroate edhe për vendimin e saj të 1 korrikut për dhurimin e 20 mijë vaksinave anticovid për Shqipërinë.

“Trilaterali midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi, është një nga shembujt më të mirë të bashkëpunimit politik mes vendeve tona dhe në rajon, veçanërisht në zhvillimin e disa sektorëve si mjedisi, siguria dhe infrastruktura. Shqipëria dhe Kroacia kanë gjithashtu vizion të njëjtë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në BE. Ne falenderojmë Presidencën Kroate të BE për mbajtjen Samitit të Zagrebit Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor (on line, më 6-7 maj 2020), i cili tregoi përkushtimin e palëkundur të BE-së për të mbështetur transformimin politik, ekonomik dhe shoqëror dhe integrimin europian të rajonit, mbështetje e cila shpreh edhe nje herë në Samitin on line  më 5 korrik 2021.”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Duke marrë shkas nga prania në delegacion edhe e deputetes shqiptare, znj. Ermina Lekaj Prljaskaj, përfaqësuese  e pakicave në parlamentin e Kroacisë, Kryetari Ruçi shprehu mirënjohjen për hapësirat e krijuara për diasporën shqiptare në Kroaci dhe nxitjen e kontributit të saj për zhvillimin e Kroacisë si edhe për forcimin e miqësisë  midis dy popujve tanë.

Ministri Oleg Butkovic falenderoi Kryetarin Ruçi për vlerësimet për bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kroacisë dhe i transmetoi përshëndetjet dhe falenderimet e Kryetarit të Parlamentit, z. Gordan Jandrokovic, dhe të Kryeministrit, z. Andrej Plenkovic,  për nxitjen dhe mbështetjen e bashkëpunimit dypalësh.  “Kroacia është  e vendosur që t'i çojë deri në fund  projektet  e saj të zhvillimit dhe të infrastrukturës, të cilët kanë impakt pozitiv në rajon  dhe në Shqipëri, si edhe për mbështetjen e integrimti europian të Shqipërisë. ”, theksoi Ministri Butkovic.

Kryetari Ruçi dhe Ministri Butkovic shkëmbyen mendime edhe mbi zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh  në fushën e transportit, turizmit, agroturizmit, energjisë, legjislacionit të investimeve dhe të integrimit evropian, sektorit bankar etj.



Share