Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Vasilika Hysi takim me një grup përfaqësuesish të shoqërisë civile

  • Postuar më, 14/07/2021

Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Vasilika Hysi priti në ambientet e Kryesisë së Kuvendit një grup qytetarësh dhe përfaqësuesish të shoqërisë civile që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në qarqet e Tiranës, Durrësit dhe Dibrës, për ti njohur më tepër me veprimtarinë dhe procedurat parlamentare, mekanizmat për rritjen e transparencës dhe bashkëpunimit me publikun dhe shoqërinë civile.

Znj.Hysi i njohu të pranishmit me nismat e ndërmarra për krijimin e një Kuvendi sa më të hapur me publikun, marrëveshjen e bashkëpunimit me universitete dhe qendra kërkimore të vendit për të tërhequr mendimin e kualifikuar shkencor në ligjbërje dhe kontrollin parlamentar, platformën e konsultimit publik, regjistrin elektronik të lobistëve, procesin e rishikimit të Manualit të Pjesëmarrjes së Publikut në Procesin Vendimmarrës të Kuvendit, etj. 

“Kuvendi i Shqipërisë është vlerësuar si një nga parlamentete më të hapura”, u shpreh znj.Hysi, duke shtuar se gjithësesi ka nevojë për një rritje të ndërveprimit dhe bashkëpunimit mes Kuvendit dhe shoqërisë civile në proceset legjislative dhe vendimmarrëse, si një mjet për të rritur llogaridhënien dhe transparencën e këtij institucioni dhe përfaqësuesve të zgjedhur.

Znj.Hysi vlerësoi përfshirjen e shoqërisë civile dhe ekspertëve të botës akademike në konsultimin e disa prej reformave të rëndësishme si ajo administrativo-territoriale, Reforma në Drejtësi, Reforma Peritenciale, etj., por dhe një sërë nismash ligjore që lidhen kryesisht me çështjet e të drejtave të grave, mbrojtjen e fëmijëve, etj.

Ndër të tjera, znj.Hysi u shpjegoi të pranishmëve edhe çfarë mund të adresojnë qytetarët apo përfaqësuesit e shoqërisë civile në Parlament, ku dhe si mund të drejtohen për përcjelljen e problematikave lokale.

Takimi u organizua në kuadër të projektit “Mbështetje për Parlamentin dhe Edukimin Qytetar në Shqipëri" (PACEP) dhe kishte në fokus të tij ndërgjegjësimin dhe rritjen e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile dhe publikut të gjerë lidhur me mënyrat pjesëmarrjes në veprimtarinë parlamentare.


Share