Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha: Kryeparlamentari vizionar e me integritet

  • Postuar më, 30/08/2021

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, ka shprehur sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha.


“Me dëshpërim mora lajmin për ndarjen nga jeta të personalitetit të shquar, ish Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha. Kolë Berisha ishte një personalitet poliedrik: mësues dhe edukator me influencë, shkrimtar i shquar, njeri i aksionit politik, luftëtar i lirisë, veprimtar i palodhur shoqëror dhe frymëzues i tolerancës e mirëkuptimit, deputet i respektuar dhe kryeparlamentar autoritar. Kolë Berisha i shërbeu Kosovës me vizionin, lidershipin dhe energjitë e tij, përndjekjen prej rregjimit serb, librat dhe veprën letrare, kontributin në LDK dhe në jetën politike, mbjelljen dhe shpërndarjen e frymës së pajtimit politik e njerëzor, si deputet i palodhur dhe së fundi edhe si Kryetar i Kuvendit të Kosovës. Kolë Berisha ishte simbol i urtësisë, tolerancës, përkushtimit, veprimit politik e kombëtar dhe kryeparlamentarit mendjehapur, me integritet e të matur. Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emtin tim i shpreh familjes, institucioneve dhe popullit të Kosovës ngushëllimet për këtë humbje të madhe.”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.


Share