OSBE dhe SHBA vlerësojnë përpjekjet e Kuvendit të Shqipërisë për rritjen e transparencës dhe nxitjen e pjesëmarrjes së publikut në procesin demokratik

  • Postuar më, 03/09/2021

OSBE dhe SHBA kanë vlerësuar arritjet e Kuvendit të Shqipërisë për rritjen e transparencës dhe nxitjen e pjesëmarrjes së publikut në procesin demokratik, sidomos gjatë pandemisë Covid19. Këto vlerësime u konstatuan në raportin vjetor që Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, z. Vincenzo Del Monaco, dorëzoi në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vienë në datën 2 shtator. Raporti vë në dukje “Bashkëpunimin dhe partneritetin e shkëlqyer midis Prezencës së OSBE-së dhe Kuvendit si edhe institucioneve shqiptare dhe shoqërisë civile gjatë vitit të kaluar.”

Vlerësimet pozitive të raportit gjetën edhe mbështetjen e znj. Courtney Austrian, përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE. ShBA evidenton dhe vlerëson “Përpjekjet e Kuvendit të Shqipërisë për të rritur aksesin e publikut në procesin legjislativ përmes teknologjive të reja të tilla si e-Legjislacioni, platformat e konsultimit online dhe webinare të ndryshme. Këto janë qasje novatore që jo vetëm që informojnë publikun për aktivitetet parlamentare, por gjithashtu inkurajojnë pjesëmarrjen në procesin demokratik”, nënvizoi përfaqësuesja e ShBA në  OSBE, znj. Courtney Austrian. Kuvendi mbetet i vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë si dhe në rrugën e reformave për të rritur qasjen e publikut në vendimarrje dhe përmirësuar më tej procedurat dhe praktikat në funksion të rritjes së transparencës dhe efikasitetit të veprimtarisë parlamentare.


Share