Komisioni për Sigurinë Kombëtare miraton ndryshimet në ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”

  • Postuar më, 23/11/2021

Në drejtimin e kryetarit z. Nasip Naço, Komisioni për Sigurinë Kombëtare në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, në mbledhjen e sotme, mori në shqyrtim projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9917, datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” të ndryshuar””.Të ftuar për të dhënë shpjegime rreth projektaktit ishin znj. Vasilika Vjero,zëvendësministre në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe z. Elvis Koçi, Drejtor i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave si dhe përfaqësues të tjerë, të dy dikastereve. Znj. Vjero në një përmbledhje që bëri para komisionit mbi atë çka ky projekt synon, theksoi “përafrimin ligjor me direktivën e BE” dhe më tej u ndal specifikisht, në atë se çfarë përfaqësojnë të gjitha ndërhyrjet e propozuara. Në cilësinë e relatores znj. Pranvera Resulaj theksoi se, qëllimi i këtij projektligji është mbrojtja e sistemit financiar dhe e ekonomisë në tërësi nga kërcënimet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke forcuar integritetin e sistemit parandalues në vend dhe duke kontribuar për paqen, sigurinë si dhe përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare të fushës. Pas pyetjeve diskutimeve dhe sugjerimeve anëtarët miratuan në parim nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.


Share