Komisioni për Integrimin Europian miratoi në parim projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9917, datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” të ndryshuar””

  • Postuar më, 24/11/2021

Në drejtimin e kryetares znj. Jorida Tabaku, komisioni për Integrimin Europian shqyrtoi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9917, datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” të ndryshuar””.

Të ftuar për këtë projektligj ishin zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë znj. Vasilika Vjero dhe Drejtori i Përgjithshëm i Parandalimit të Pastrimit të Parave, z. Elvis Koci.

Në fjalën e saj, zëvendësministrja u shpreh se projektligji qe prezantohet sot synon një përafrim të plotë me direktivën e BE 2015/849, të Parlamentit Evropian dhe Këshillit.

“Ky ligj ka kaluar një proces të gjatë konsultimi që prej Janarit të këtij viti dhe ne kemi marrë edhe opinionet, ku janë reflektuar shumë nga opinionet të marra nga institucionet financiare, nga Shoqata e Bankave, pra nga të gjithë ata aktorë që do të zbatojnë dhe që aktualisht zbatojnë këtë legjislacion. Njëkohësisht projektligji është konsultuar edhe me delegacionin e Bashkimit Europian po ashtu edhe me përfaqësuesit e GIZ.”,  theksoi znj. Vjero.

Më tej, pas prezantimit të ndryshimeve mbi këtë projektligj nga zëvendësministrja Vjero, anëtarët e komisionit vazhduan me komente, pyetje dhe sugjerime të ndryshme.

Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua në parim.

Diskutimi Nen për Nen dhe në tërësi, u la për mbledhjen e radhës.




Share