Zhvillohet mbledhja e përbashkët e Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, shqyrtohet nisma e opozitës për ndryshime kushtetuese

  • Postuar më, 24/11/2021

24 nëntor 2021

Në drejtimin e Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, u zhvillua mbledhja e përbashkët e Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ku u vijua me shqyrtimin e nismës së grupit parlamentar të pakicës parlamentare “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 8417 datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

Pas miratimit të procesverbalit të datës 17.11.2021, rendi i ditës vijoi me një seancë dëgjimore me përfaqësues të institucioneve shtetërore, të cilëve u është kërkuar opinion lidhur me ndryshimet kushtetuese të propozuara nga pakica parlamentare. Në mbledhje mori pjesë znj. Erinda Ballanca, Avokate e Popullit; z. Arben Kraja, drejtues i SPAK, ndërkohë që ILDKPKI kishte njoftuar se do të dërgojë opinione me shkrim lidhur me këtë çështje.

Znj.Erinda Ballanca dha komente lidhur me dy nga komponentët që përmban nisma, e më konkretisht: reformën territoriale dhe çështjet zgjedhore. Lidhur me reformën territoriale ,znj.Ballanca u shpreh se pavarësisht vullnetit dhe qëllimit me të cilin u prezantua, niveli dhe cilësia e shërbimeve në komunitet në zonat rurale, ka vend për përmirësime sidomos në çështjet e të drejtave të fëmijëve dhe minoriteteve. Lidhur me çështjet e zgjedhjeve, znj.Ballanca u shpreh se: “përfshirja e të gjithë aktorëve në procesin zgjedhor është detyrim e tyre dhe është përgjegjësi e tyre dhe se përtej çfarëdolloj pretendimi, secila prej palëve duhet të përfshihet në një proces të ndershëm, që ta jap në fund të ditës një rezultat të besueshëm nga qytetarët; dhe detyra e secilit prej nesh, qoftë juve si ligjvënës dhe për këtë jeni ushtrues të vullnetit të popullit, por dhe e jona si institucione të pavarura është që të vazhdojmë të kthejmë besimin e qytetarëve tek sistemi qeverisës në vend”.   

Z.Arben Kraja, drejtues i SPAK, lidhur me çështjen e Vettingut në politikë, parimisht e konsideroi të papërshtatshme përfshirjen e SPAK në realizimin e këtij procesi administrativ, për shkak të volumit të madh të punës që do të përmbajë procesi, çka do të çonte në shfokusimin e punës primare të Prokurorisë që është ushtrimi i ndjekjes penale dhe përfaqësimi i akuzës në gjykatë.  Z. Kraja deklaroi se është pro çdo iniciative që lufton korrupsionin, por renditi disa pikëpamje që mund të krijojnë problematika për ndjekjen e këtij procesi administrativ, brenda të njëjtës strukturë që ndjek dhe procesin penal.



Share