Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, përshëndeti në sesionin e 33-të të Asamblesë Rajonale të Frankofonisë për Evropën: Anëtarësia e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Francofonisë, një mundësi për të rritur kontributin për kulturën, sigurinë dhe paqen

  • Postuar më, 26/11/2021

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, përshëndeti në sesionin e 33-të të Asamblesë Rajonale të Frankofonisë për Evropën, i cili u zhvillua sot, në sallen e seancave plenare të Kuvendit. Sesioni u organizua nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Asambleja Rajonale e Frankofonisë për Evropën. Në sesion mori pjesë dhe përshëndeti edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, dhe Zëvëndësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Megi Fino.Në fjalën e saj përshëndetëse, Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla nënvizoi se “Organizata Ndërkombëtare e Francofonisë është një ndër organizatat më prestigjioze në botën e sotme, me një shtrirje horizontale në të gjitha kontinentet.

 

Në kohën që po jetojmë, kufijtë hantingtonianë midis shtatë-tetë qytetërimeve: kinez, japonez, hindu, islamik, ortodoks, perëndimor, amerikan dhe ndoshta afrikan, herë tentojnë të bëhen më të pakalueshëm dhe herë të treten ose të bëhen më konvencionalë.

 

Kjo ndodh për shkak të tendencës së secilit prej qytetërimeve për të zgjeruar ndikimin e vet, përballë presionit nga qytetërimet e tjera.

 

Francofonia, duke qenë një ndër komunitetet kulturore që jep e merr me çdo qytetërim të sotëm, është një amortizator i fuqishëm i zbutjes së përplasjeve mes tyre.

Dimensioni parlamentar i Francofonisë, Asambleja Parlamentare, i jep kësaj organizate një vlerë të shtuar, duke u bashkangjitur përpjekjeve për dialog midis kulturave e qytetërimeve edhe një kontribut të ligjvënësve nga të pesë kontinentet, për garantimin e paqes e të harmonisë midis kombeve. Prandaj prania e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Francofonisë është një mundësi për të rritur kontributin për kulturën, sigurinë dhe paqen. Prandaj Kuvendi i Shqipërisë bëri më të mirën për të organizuar këtë sesion të Asamblesë rajonale të Francofonisë.” Gjatë ceremonisë së hapjes së sesionit,  u dorëzua titulli “Kalorësi i Madh i Urdhrit të Pleiadës, i Frankofonisë dhe i Dialogut mes Kulturave”, akorduar nga Organizata e Frankofonisë shkrimtarit tonë të njohur botërisht Ismail Kadare. Titulli iu dorëzua shkrimtares Helena Kadare, bashkëshortes së shkrimtarit Ismail Kadare.

Më poshtë fjala e plotë e Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, në sesionin e 33-të të Asamblesë Rajonale të Frankofonisë për Evropën

 

“I nderuar President i Asamblesë Rajonale të Francofonisë për Evropën, z. Luperto,

I nderuar zoti Kryetar i Bashkisë së Tiranës, z. Veliaj,

E nderuar zonja Helena Kadare,

Të nderuar parlamentarë,

Zonja e zotërinj,

Ju uroj mirëseardhjen në Kuvendin e Shqipërisë.

 

Kuvendi, unë personalisht, si edhe përfaqësuesit shqiptarë në Asamblenë Parlamentare të Francofonisë, jemi të lumtur të organizojmë në Shqipëri sesionin e 33-të të Asamblesë Rajonale të Frankofonisë për Evropën.

Ju uroj punë të mbarë në punimet e Asamblesë dhe dëshiroj që në Shqipëri të ndjeheni si në shtëpinë tuaj.

 Zonja e zotërinj,

Në Asamblenë Parlamentare të Francofonisë na bashkon jo thjesht gjuha franceze.

Na bashkojnë vlerat e qytetërimit që janë formuar përgjatë historisë së Francës, historisë së Evropës dhe historive të vendeve tona.

Prandaj, fillimin e fjalës sime, më lejoni t’ua dedikoj atyre.

Franca është një vend mik, mbështetëse e rëndësishme e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian, konsolidimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, një partner i ngushtë në NATO dhe në kontributet e përbashkëta për paqen e sigurinë, në rajon, në kontinent e më gjerë.

 

Shqipëria është krenare për bashkëpunimin dhe miqësinë e saj me Francën, për marrëdhëniet me kulturën franceze dhe francofoninë.

Sepse Franca është atdheu i lirive dhe i të drejtave të qytetarëve dhe vazhdon të kontribuojë për demokracinë, të drejtat dhe qytetërimin perëndimor me vlerat e saj më të spikatura. 

 

Franca është një vend model, një libër i hapur, për popujt që aspirojnë për liri, barazi, drejtësi shoqërore, demokraci, silidaritet dhe paqe.

Prandaj Kuvendi i Shqipërisë bëri më të mirën për të organizuar këtë sesion të Asamblesë rajonale të Francofonisë.

Organizata Ndërkombëtare e Francofonisë është një ndër organizatat më prestigjioze në botën e sotme, me një shtrirje horizontale në të gjitha kontinentet.

Në kohën që po jetojmë kufijtë hantingtonianë midis shtatë-tetë qytetërimeve: kinez, japonez, hindu, islamik, ortodoks, perëndimor, amerikan dhe ndoshta afrikan, herë tentojnë të bëhen më të pakalueshëm dhe herë të treten ose të bëhen më konvencionalë.

Kjo ndodh për shkak të tendencës së secilit prej qytetërimeve për të zgjeruar ndikimin e vet, përballë presionit nga qytetërimet e tjera.

Francofonia, duke qenë një ndër komunitetet kulturore që jep e merr me çdo qytetërim të sotëm, është një amortizator i fuqishëm i zbutjes së përplasjeve mes tyre.

Dimensioni parlamentar i Francofonisë, Asambleja Parlamentare, i jep kësaj organizate një vlerë të shtuar, duke u bashkangjitur përpjekjeve për dialog midis kulturave e qytetërimeve edhe një kontribut të ligjvënësve nga të pesë kontinentet, për garantimin e paqes e të harmonisë midis kombeve.

Prandaj prania e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Francofonisë është një mundësi për të rritur kontributin për kulturën, sigurinë dhe paqen.

 Sot është një ditë e veçantë për kulturën shqiptare. Presidenti Luperto na ka bërë me dije se Organizata Ndërkombëtare e Francofonisë i ka akorduar Ismail Kadaresë, shkrimtarit tonë të shquar, të përkthyer në shumicën e gjuhëve të botës dhe të njohur në të gjithë planetin, titullin “Kalorësi i Madh i Urdhrit të Pleiadës, i Frankofonisë dhe i Dialogut mes Kulturave”.

Ismail Kadare është aktualisht Olimpi i letërsisë, artit, kulturës dhe qytetërimit shqiptar.

Është një margaritar i çmuar i kombit shqiptar. Të gjithë jemi krenarë që jemi bashkëkombas, bashkëkohës dhe lexues të veprës së Ismail Kadaresë.

Të veprës që e ngjiti kulturën dhe letërsinë shqiptare në apogjeun e kulturave botërore.

 

Dhe meqë jemi në një sesion francofonie, nuk mund të mos shpreh mirënjohjen për gjuhën franceze si një ndër përcjellëset më të fuqishme të krijimtarisë së Ismail Kadaresë në gjuhët, kulturat dhe lexuesit anembanë planetit.

Shkrimtarja Helena Kadare, bashkëshortja e shkrimtarit tonë të madh, na nderon me praninë e saj në punimet e këtij sesioni.

 Të nderuar miq,

Sot nuk është koha më e mirë dhe më e bukur për të organizuar veprimtari të tilla. 

Prej rreth dy vjetësh, Bota po jeton nën rrezikun e pandemisë së Covid-19 dhe ky rrezik na ka privuar, duke uruar që kjo të mos zgjasë shumë, nga mjaft veprimtari të jetës normale.

Këtë pasdite ju do të diskutoni gjerësisht për kontributin e parlamenteve për të përballuar pandeminë, për të mbështetur qytetarët dhe ekonomitë tona të mbijetojnë dhe të rikthehen në ritmet normale të jetës dhe rritjes.

Unë dëshiroj të ndaj me ju faktin që Kuvendi i Shqipërisë ishte ndër parlamentet që iu përgjigjën më shpejt kushteve të krijuara nga pandemia për vazhdimin e veprimtarive parlamentare dhe të shërbimit të deputetëve ndaj qytetarëve.

Ky fakt u vlerësua edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Në raportin “Dimensioni Human i OSBE dhe përgjigjet shtetërore ndaj pandemisë Covid-19”, publikuar në korrik 2020 nga OSBE/ODIHR, Kuvendi i Shqipërisë u vlerësua ndër parlamentet që iu përgjigjën më mirë, nëpërmjet veprimtarisë inovative situatave të pandemisë.

Në muajt kur parlamentet po shihnin mundësinë që puna e komisioneve të zhvillohej në distancë, Parlamenti i Shqipërisë ishte ndër të parët që, nëpërmjet masave novatore, e mundësoi këtë praktikë.

Kjo nuk dëmtoi, përkundrazi rriti transparencën e punës dhe të veprimtarive parlamentare. Në Shqipëri, vendimi për të lejuar zhvillimin në distancë të mbledhjeve të komisioneve, duke përdorur platforma videokonference, mundësoi që transmetimi live i këtyre mbledhjeve të bëhej i arritshëm për publikun e gjerë.

Përveç veprimtarive parlamentare, deputetët, edhe në kushtet e pandemisë, vazhdojnë të mbajnë lidhje të ngushta me zgjedhësit dhe qytetarët.

Gjithashtu, prej pandemisë po nxjerrim edhe mësime për veprimtarinë ligjvënëse. Njeri prej këtyre mësimeve është ndërgjegjësimi ynë si legjislatorë se rritja ekonomike duhet të jetë një ingredient i shëndetit të popullsisë dhe jo e kundërta.

Prandaj Kuvendi është duke punuar për të plotësuar kuadrin ligjor të nevojshëm për ndërvarësitë midis zhvillimit ekonomik, mirëqenies dhe shëndetit.

Në sesionin e pasdites, të gjithë ju do të kini mundësinë të njiheni më në detaje për përballimin nga Shqipëria të pandemisë së Covid-19 dhe strategjinë tonë dalëse prej saj.

 Zonja dhe zotërinj,

Kuvendi i Shqipërisë para pak më shumë se dy muajsh ka nisur sesionin e parë të Legjislaturës së 10-të.

Kjo është një legjislaturë e rëndësishme për Shqipërinë sepse gjatë saj do të përmbyllim reformat e mëdha për konsolidimin e sistemit demokratik dhe për mirëqenien e qytetarëve shqiptarë.

Demokracia liberale është sistemi më i mirë i qeverisjes sepse korrigjon vazhdimisht vetveten. Prandaj unë do të inkurajoj debatin parlamentar mbi propozimet e opozitës a të maxhorancës për reformat e kryera apo reformat e reja, për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë për të gjithë.

Kjo legjislaturë do të jetë legjislatura e fillimit në praktikë të negociatave Shqipëri-BE dhe Kuvendi është përgatitur për të garantuar legjitimitetin demokratik të procesit të integrimit evropian dhe mbikëqyrjen e Qeverisë e institucioneve për të përmbushur rekomandimet e Këshillit Europian.

Gjatë kësaj legjislature Kuvendi do të inkurajojë bashkëpunimin me partnerët strategjike, ShBA e BE dhe shtetet anëtare, përfshirë Asamblenë Parlamentare të Francofonisë, vendet fqinje, botën e qytetëruar, për të fuqizuar më tej rolin e Shqipërisë si kontribuese e zhvillimit, demokracisë, paqes, stabilitetit, luftës kundër terrorizmit e ekstremizmit të dhunshëm, mbrojtjes prej ndryshimeve klimaterike të sigurisë ushqimore, lulëzimin e ekonomisë dhe të mirëqenies, parandalimin e epidemive etj.

Kuvendi do të kontribuojë që Shqipëria të vazhdojë të jetë shembull i një vendi solidar e mikpritës për njerëzit që zhvendosen nga luftrat a përndjekjet e natyrave të ndryshme.

 Shqipëria është një vend i vogël, por shërbimet për lirinë e të tjerëve, na bëjnë një vend të madh për nga kontributet për paqen dhe sigurinë në këtë botë të trazuar.

Prania dhe roli ynë aktiv në Asamblenë Parlamentare të Francofonisë është një mundësi më shumë për të përmbushur këto misione.

Ju faleminderit dhe punë të mbarë!”


Share