Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi ndryshimet në ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” të ndryshuar””
- Postuar më, 26/11/2021
26 nëntor 2021
Në drejtimin e
kryetares znj.Klotilda Bushka dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës, Komisioni
për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi në
mbledhjen e radhës projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.
9917, datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të
terrorizmit” të ndryshuar””. Për të prezantuar projektligjin ishin të pranishëm
znj.Vasilika Vjero, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë dhe z.Elvis
Koçi, Drejtor i Përgjithshëm i Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, ndërsa
relatimi për komisionin u bë nga deputeti Denis Deliu. Zëvendësministrja Vjero sqaroi
se qëllimi i këtij projektligji është mbrojtja e sistemit financiar dhe e
ekonomisë në tërësi nga kërcënimet e pastrimit të parave dhe financimit të
terrorizmit, duke forcuar integritetin e sistemit parandalues në vend dhe përmbushjen
e detyrimeve ndërkombëtare të fushës. Znj.Vjero theksoi se nisma synon përafrim
të plotë me direktivën e BE, përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga marrëveshja
e MSA, kërkesave të përsëritura nga Komisioni Europian, por edhe angazhimit të
marrë nga vendi ynë në Forumin Ministror BE-Ballkani Perëndimor për harmonizimin
e plotë me direktivat e BE-së kundër pastrimit të parave brenda periudhës
2020-2021. Deputeti Denis Deliu në cilësinë e relatorit vlerësoi rëndësinë e
nismës, duke parashtruar se projektligji synon zvogëlimin e rreziqeve të
pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit nëpërmjet politikave,
koordinimit dhe bashkëpunimit; parandalimin e hyrjes së produkteve të veprave
penale apo veprimtarisë kriminale, si dhe të fondeve në mbështetje të
terrorizmit në sektorin financiar apo në sektorë të tjerë ose zbulimi dhe
raportimi i tyre; si dhe zbulimi dhe
goditja e kërcënimeve për pastrim të parave/financim të terrorizmit. “Për një kategori të caktuar profesionesh të
lira, ligji i ka ngarkuar me detyrime specifike, duke marrë në konsideratë
standardet e Task Forcës së Aksioneve Financiare, por edhe natyrën e punës që këto
profesione bëjnë. Zbatimi i rekomandimeve të Task Forcës së Aksioneve Financiare,
të cilat përveçse janë botërisht të pranuara dhe ka mekanizma ndëshkimi në
rastet e mosndjekjes dhe zbatimit, për vendin tonë kanë forcë juridike të
shtuar, pasi janë detyrim që rrjedh edhe nga neni 13, i konventës së KiE, ratifikuar
nga Republika e Shqipërisë me ligjin nr.9646, datë 27.11.2006, “Për ratifikimin
e Konventës së Këshillit të Evropës “Për pastrimin, kërkimin, kapjen dhe
konfiskimin e produkteve të krimit dhe për financimin e terrorizmit””, sqaroi
z.Deliu. Në përfundim duke vlerësuar se projektligji është në përputhje të
Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, relatori ftoi komisionin ta miratojnë
atë.
Zëvendësministrja
Vjero dhe Drejtori i Përgjithshëm i Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, z. Elvis
Koçi, iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve lidhur me projektligjin, situatën aktuale
e fenomenit të pastrimit të parave, nivelin
e bashkëpunimit me bankat e nivelit të dytë, etj.
Në përfundim të
diskutimeve, përpara miratimit në parim, kryetarja e komisionit znj.Bushka sqaroi
se komisionet e tjera parlamentare, por dhe komisioni i Ligjeve kanë bërë amendamente
për projektligjin, disa prej të cilave janë reflektuar dhe dakordësuar me Ministrinë
e Financave dhe Ekonomisë dhe DPPPP, të cilat rregullojnë qartësinë e normës,
por edhe adresojnë propozimet e ardhura pas konsultimeve publike me grupet e
interesit. Komisioni miratoi në parim,
nen për nen dhe në tërësi tekstin e integruar të projektligjit dhe ia përcolli për
shqyrtim seancës plenare të radhës.