Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, përshëndeti në lançimin e projektit “Një Gjuhë, Një Abetare”: Dita e Alfabetit tonë të shpallet festë kombëtare.

  • Postuar më, 28/11/2021

28 nëntor 2021

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, përshëndeti në veprimtarinë për lançimin e projektit “Një Gjuhë, Një Abetare”, organizuar nga Minsitria e Arsimit dhe Sportit, në Pallatin e Brigadave.

Në këtë veprimtari mori pjesë edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Evis Kushi, Kryetari i Akademsië së Shkencave, z. Skënder Gjinushi, Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Prof. Luan Përzhita, akademikë, studjues, autorë dhe redaktorë të tekstit të Abetares, mësues e pedagogë të gjuhës shqipe etj.

Pasi vlerësoi idenë dhe përgatitjet për zbatim të projektit “Një gjuhë, një Abetare”, Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, nënvizoi se “Është një përkim i bukur festa e Abetarës së njësuar me festën e madhe të Flamurit dhe të Pavarësisë.

Projekti “Një Gjuhë, një Abetare”, synon unifikimin e tekstit të Abetares në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar, për të krijuar atë që në mënyrë të figurshme mund ta quajmë një monument të mësimit të gjuhës shqipe.

Ky projekt është kurorëzimi i përpjekjeve tona të përbashkëta shumëvjeçare, për të mundësuar krijimin e një themeli të shëndoshë  të mësimit të gjuhës shqipe.

Bashkëpunimi me Kosovën ka qenë në krye të prioriteteve të mia, gjatë shërbimit si Ministre e Arsimit të Shqipërisë. Dhe sot ndjej një kënaqësi të veçantë, kur ky bashkëpunim po avancon, edhe në saje të vazhdimit të projekteve e nismave, nëpërmjet të cilave ia dolëm të krijonim  një sinergji produktive në bashkëpunimin arsimor midis të dy vendeve.

Kjo nismë që po lançojmë sot dëshmon se gjuha është një organizëm i gjallë bashkues dhe nisja e mësimit të unifikuar të saj saj është një ndër instrumentet më të fuqishëm të kohezionit kombëtar. Pra, nisja nga Abetarja nuk është vetëm simbolike, por edhe funksionale.

Po ju informoj se do t’i propozoj Qeverisë që të bëj festë kombëtare Ditën e Alfabetit tonë. 

Midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës ka nisur njëbashkëpunim i ngushtë.

Dje në Tiranë  mbylli punimet Kuvendi Ndërkombëar i Studimeve Albanologjike, një nismë e përbashkët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së  Shkencave dhe Arteve të Kosovës, një tjetër projekt i rëndësishëm, në shërbim të gjuhës, shkencës dhe kulturës kombëtare.



Share