Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi seancë dëgjimore me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit

  • Postuar më, 01/12/2021

Në drejtimin e kryetarit z. Nasip Naço Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi një seancë dëgjimore me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit z. Gledis Nano, lidhur me gjendjen e kriminalitetit në vend dhe masat e marra për parandalimin e tij. Në përgjigje të pyetjeve të anëtarëve lidhur situatën kriminale gjatë vitit 2021, masat e marra nga Policia e Shtetit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve, z. Nano u përgjigj se janë goditur 40 grupe kriminale si dhe janë sekuestruar asete me vlerë mbi 31 milionë euro, që i takojnë 41 rasteve.

“419 operacione policore, 78 prej të cilave në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, janë zhvilluar përgjatë vitit 2021. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, janë zhvilluar 60 operacione ose 16.7% më shumë.” tha Drejtori i Përgjthshëm i Policisë së Shtetit. 

Gjithashtu në luftën kundër lëndëve narkotike, z. Nano tha se, janë asgjësuar 164 765 bimë narkotike.

Lidhur me shifrat  e kriminalitetit të vitit 2021, nga 1 janari deri më 31 tetor, z. Gledis Nano tha se gjatë kësaj periudhe kohore, janë regjistruar 27 mijë vepra penale prej të cilave 24 mijë janë të zbuluara. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ka 1500 vepra penale më shumë. Ajo që është shqetësuese, është rritja e veprave penale në dhunës në familje, por po kështu dhe qarkullimit rrugor.

“Ulja e numrit të vrasjeve është barometri kryesore për situatën e krimit. Dua tju siguroj se angazhimi i policisë do jetë edhe më i madh” u shpreh më tej. z. Nano

Më tej z. Nano iu përgjigj interesimit të anëtarëve të komisionit lidhur me çështje të tjera të rendit dhe sigurisë në vend.


Share