Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi dy marrëveshje

  • Postuar më, 13/12/2021

Në drejtimin e kryetarit z. Nasip Naço Komisioni për Sigurinë Kombëtare mori në shqyrtim në tërësi dhe miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, për ripranimin e personave dhe protokollit zbatues të marrëveshjes”. I pranishëm në komision ishte z. Andi Mahila zëvendësministër në Ministrinë e Brendshme. Më herët komisioni kishte miratuar në parim dhe nen për nen projektmarrëveshjen në fjalë. 

Më tej komisioni vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, mbi transferimin e personave të dënuar” 

E pranishme në komision ishte znj. Adea Pirdeni zëvendësministre në Ministrinë e Drejtësisë. Znj. Pirdeni u shpreh se kjo marrëveshje synon të përmirësojë kushtet e rregullat për transferimin e personave të dënuar nga të dyja shtetet kontraktuese, në funksion të lehtësimit të riintegrimit social të shtetasve të njërit shtet kontraktues, që vuajnë dënimin në shtetin tjetër. “Marrëveshja synon të sjellë më pranë të dyja sistemet ligjore me pasojën pozitive të përshpejtimit e të thjeshtëzimit të procedurave të transferimit të personave të dënuar, duke rritur përfitimet e të gjitha palëve të përfshira në to” shtoi më tej. zëvendësministrja. Relatori për projektmarrëveshjen z. Nasip Naço në fjalën e tij sqaroi se projektligji ka për qëllim zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e së drejtës penale ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, si dhe çuarjen më tej të qëllimeve të drejtësisë e rehabilitimin shoqëror të personave të dënuar.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve nga anëtarët komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi marrëveshjen në fjalë.


Share