Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi seancë dëgjimore me Ministren e Arsimit dhe Sportit, znj. Evis Kushi

  • Postuar më, 14/12/2021

14 dhjetor 2021

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik nën drejtimin e nënkryetarit,  z. Petro Koçi, zhvilloi seancë dëgjimore me ministren e Arsimit dhe Sportit, znj. Evis Kushi, e cila informoi në lidhje  me masat e marra për fillimin e vitit të ri akademik 2021 – 2022. 

Në fjalën e saj znj. Kushi, bëri një përmbledhje mbi situatën aktuale në universitet tona lidhur me numrin e studentëve të vaksinuar dhe masat e marra për të zhvilluar një vit akademik me prezencë fizikë në auditorë. Ministrja theksoi se nisur nga kërkesat e vazhdueshme për zhvillimin e procesit mësimor në auditorë, u vendos që viti i ri akademik 2021-2022 të fillojë me prezencë fizike, por sipas Komitetit Teknik të Ekspertëve, për pjesëmarrjen e studentëve ishte i domosdoshëm vaksinimi apo testi PCR. Me kërkesën e vetë universiteteve, java e parë e vitit akademik u shpall si Java e Vaksinimit Masiv dhe stafet e vaksinimit u vendosën në mjediset universitare të të gjitha universiteteve. 

Znj.Kushi shtoi mw tej se  fillimi i vitit të ri akademik përkon edhe me ngritjen e Komitetit Ndërministror të Koordinimit të Politikave për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor si organ konsultativ dhe përgjegjës për nxitjen e bashkëpunimit, zhvillimit të dialogut dhe koordinimit të procesit të hartimit, zbatimit, monitorimit dhe vlerësimit të politikave, strategjive dhe veprimtarive të tjera shtetërore në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, ndërmjet Kryeministrit, ministrive përkatëse, institucioneve të arsimit të lartë apo institucioneve të tjera. Ministrja Kushi u ndal dhe në punën e bërë nga ministria që ajo drejton, në lidhje me kërkimin shkencor dhe inovacionin në IAL, ku prej muajsh janë në proces negocimi me Komisionin Europian dhe në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Një tjetër masë e marrë për këtë fillim viti akademik sipas ministres ka qenë hapja e programeve të ciklit të tretë të doktoraturave, si dhe investimet e bëra në lidhje me rezidencat universitare, përfshirë Universitetin e Tiranës, Korçës, Elbasanit, Vlorës, Shkodrës, Gjirokastrës. Seanca dëgjimore vijoi me pyetje dhe diskutime të shumta të anëtarëve të këtij komisioni drejtuar znj. Kushi.


Share