Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi një projektligj
- Postuar më, 14/12/2021
Komisioni për
Politikën e Jashtme, në drejtimin e kryetares, znj. Mimi Kodheli, shqyrtoi dhe
miratoi dje në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi projektligjin “Për
ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së
Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, mbi transferimin e
personave të dënuar”. E pranishme në komision për paraqitjen e projektligjit
ishte zëvendësministrja e Drejtësisë, znj. Adea Pirdeni.
Zëvendësministrja
Pirdeni bëri me dije se projektligji ka për qëllim zhvillimin e bashkëpunimit
ndërkombëtar në fushën e së drejtës penale ndërmjet Republikës së Shqipërisë
dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, si dhe
çuarjen më tej të qëllimeve të drejtësisë e rehabilitimin shoqëror të personave
të dënuar. Marrëveshja, sipas zëvendësministres, synon të përmirësojë kushtet e
rregullat për transferimin e personave të dënuar nga të dyja shtetet
kontraktuese, në funksion të lehtësimit të riintegrimit social të shtetasve të
njërit shtet kontraktues, që vuajnë dënimin në shtetin tjetër. Marrëveshja
synon të sjellë më pranë të dyja sistemet ligjore me pasojën pozitive të
përshpejtimit e të thjeshtëzimit të procedurave të transferimit të personave të
dënuar, duke rritur përfitimet e të gjitha palëve të përfshira në to. Në
marrëveshje janë parashikuar në mënyrë të hollësishme procedurat që ndiqen nga
të dyja shtetet kontraktuese, për transferimin e personave të dënuar, vazhdimin
e zbatimit të dënimit, si dhe të drejtat e trajtimi i personave të dënuar.
Projektligji mori edhe mbështetjen e relatorit, deputetit të Partisë
Socialiste, z. Petro Koçi. Ai u shpreh se marrëveshja i le shtetit transferues
të drejtën eskluzive të vendosjes, ai vlerësoi tabelën referuese konvertimeve
të dënimeve që i pret rrugën dhe hapësirën abuzimeve në sistem. Deputetët e
opozitës, në diskutimet e tyre, kryesisht sollën në vëmendjen koston e lartë që
mund t’i ngarkonte sistemit shqiptar një marrëveshje e tillë, pavarësisht
dakordësisë së tyre. Në përfundim të diskutimit komisioni e miratoi
projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.