Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi 2 projektligje dhe një Akt Normativ

  • Postuar më, 14/12/2021

14 dhjetor 2021

 

Në drejtimin e kryetares znj.Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi dhe miratoi në mbledhjen e radhës 2 projektligje dhe një akt normativ.

Fillimisht në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi komisioni shqyrtoi projektligjet “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, mbi transferimin e personave të dënuar” dhe “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, për ripranimin e personave dhe protokollit zbatues të marrëveshjes”.

Të ftuar për prezantimin e projekt-aktit të parë ishin znj.Adea Pirdeni, zëvendësministre e Drejtësisë dhe z.Besmir Beja, drejtor i Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë. Znj. Pirdeni prezantoi risitë e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e së drejtës penale ndërmjet dy vendeve dhe theksoi se qëllimi i saj është përmirësimi i kushteve dhe rregullave për transferimin e personave të dënuar nga të dyja shtetet palë, në funksion të lehtësimit të riintegrimit social të shtetasve të njërit shtet kontraktues, që vuajnë dënimin në shtetin tjetër. Znj.Pirdeni sqaroi se procedurat e transferimit të shtetasve shqiptarë të dënuar në Mbretërinë e Bashkuar kanë nisur që në vitin 2013, nëpërmjet një marrëveshjeje, e cila ka shfaqur një sërë problematikash në zbatim. “Vështirësitë e zbatimit kanë konsistuar kryesisht në kuptimin, interpretimin  e marrëveshjes nga gjykatat dhe prokuroritë për shkak të ndryshimit të terminologjisë dhe koncepteve të ndryshme ligjore, për shkak se të dy vendet i përkasin sistemeve ligjore të ndryshme, prandaj lindi si domosdoshmëri përmirësimi i tekstit  të marrëveshjes nga palët, duke i hapur rrugë negocimit të një marrëveshjeje të re, në vijim të një sërë tryezash të rrumbullakëta konsultimi të bëra me prokuror, gjyqtarë dhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë ”, sqaroi znj.Pirdeni.  Deputeti Klevis Xhoxhi në cilësinë e relatorit vlerësoi rëndësinë e nismës dhe përputhshmërinë e saj me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projekt-aktin në fjalë. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, për ripranimin e personave dhe protokollit zbatues të marrëveshjes”, u prezantua për komisionin nga z.Andi Mahila, zëvendësministër i Brendshëm, i cili sqaroi se marrëveshja është propozuar nga qeveria britanike në kuadër të daljes së saj nga Bashkimi Evropian dhe se ka për qëllim ngritjen e një kuadri të përbashkët ligjor, duke respektuar parimet dhe rregullat e shkëmbimit të informacionit mbi të dhënat personale ndërmjet dy vendeve me qëllim parandalimin dhe forcimin e luftës ndaj kalimit të paligjshëm të kufirit. Zëvendësministri Mahila shtoi se marrëveshja është hartuar duke u bazuar në “modelin komunitar”, në frymën e respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, si dhe në përputhje me kërkesat dhe normat e së drejtës ndërkombëtare dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Zëvendësministri theksoi se ratifikimi i marrëveshjes parashikon rregullat dhe parimet, në bazë të të cilave do të zbatohet bashkëpunimi, rastet e bashkëpunimit sipas kërkesave, por edhe rastet e bashkëpunimit pa kërkesa duke vlerësuar afatet, procedurat, mënyra e aplikimit për ripranim, mënyra e vërtetimit të shtetësisë për shtetasit e palëve, për shtetasit e vendeve të treta dhe personat pa shtetësi, kostot e transportit dhe tranzitit, etj. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projekt-aktin në fjalë.

Në cilësinë e komisionin përgjegjës komisioni shqyrtoi Aktin Normativ nr. 33, datë 24.11.2021 “Për miratimin e disa ndryshimeve të nënshkruara (amendamenti i dytë) në marrëveshjen për prodhimin dhe furnizimin, nga dhe ndërmjet Pfizer Export B.V. dhe ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik miratuar me aktin normativ nr. 3, datë 18.1.2021 të Këshillit të Ministrave”, i cili u prezantua nga znj.Vjollca Braho, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe stafi teknik i kësaj ministrie. Znj.Braho sqaroi se qëllimi i aktit normativ është miratimi i ndryshimeve të nënshkruara në marrëveshjen me kompaninë “Pfizer”, të miratuar më herët nga Kuvendi dhe që synojnë lehtësimin e procedurave për alokimin e dozave të vaksinave “Pfizer” të dhuruara nga shtetet e tjera.  Deputeti Saimir Hasalla në cilësinë e relatorit vlerësoi se nisma është e mbështetur në Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi dhe se ekzistojnë kushtet e nevojës dhe urgjencës.  Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi projekt-aktin në fjalë, duke ia kaluar për shqyrtim seancës plenare të radhës.

 


Share