Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, znj. Mimi Kodheli zhvilloi takim virtual me Kryetarin e Komisionit të Jashtëm dhe Mbrojtjes, të Parlamentit të Izraelit, z. Ram Ben-Barak

  • Postuar më, 15/12/2021

Ditën e sotme, Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme znj. Mimi Kodheli, zhvilloi një takim virtual me Kryetarin e Komisionit të Jashtëm dhe Mbrojtjes të Parlamentit të Izraelit, z. Ram Ben-Barak.

Gjatë takimit bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet miqësore dhe mbështetjen reciproke që dy vendet i kanë dhën njeri-tjetrit.

Kryetari i Komisionit të Jashtëm dhe Mbrojtjes së Izraelit, bëri një paraqitje të problematikave me të cilat ndeshet vendi i tij, me fokus të veçantë tek çështjet e sigurisë dhe kërcënimet që i vijnë asaj nga terrorizmi dhe sulmet kibernetike. Më tej, zoti Ram Ben-Barak vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit me Shqipërinë në të gjitha drejtimet përfshirë dhe për çështjet e mësipërme. “Ne jemi miq të mirë dhe besnikë”, theksoi ai.

Zonja Kodheli, nga ana e saj, theksoi nevojën e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy vendeve, veçanërisht në politikën e jashtme. Duke folur për sfidat e përbashkëta me të cilat po ndeshen të dy vendet , ajo përmendi rrezikun e rritjes së nacionalizmit agresiv në rajonin e Ballkanit Perëndimor sikurse dhe atë të ndërhyrjes së fuqive, të cilat nuk ndajnë të njëjtat vlera demokratike në rajonin tonë. Duke folur për rolin e Shqipërisë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë globale, zonja Kodheli përmendi dhe kontributin që vendi ynë synon të japë në pozicionin e anëtarit jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit gjatë periudhës 2022-2023.

Në përfundim të takimit zonja Kodheli dhe zoti Ben-Barak ranë dakord që së shpejti të shkëmbehen vizita të ndërsjellta të Komisioneve që ata drejtojnë, në Izrael dhe në Shqipëri, çka do t’i shërbejë forcimit të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve ndër-parlamentare midis dy vendeve.   


Share