Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, zhvilloi takimin vjetor me drejtuesit e institucioneve të pavarura
- Postuar më, 15/12/2021

Kryetarja
e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, zhvilloi sot, në Kryesinë e Kuvendit, takimin
vjetor me drejtuesit e institucioneve të
pavarura kushtetuese dhe të krijuara
me ligj.
Në këtë mbledhje, përveç drejtuesve të institucioneve, morën pjesë edhe Ministrja
e Marrëdhënieve me Kuvendin, znj. Elisa Spiropali, Kryetarja e Komisionit për Çështjet
Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, znj. Klotilda Bushka,
Kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe
Financat, z. Eduard Shalsi, Kryetari i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese,
Tregtinë dhe Mjedisin, z. Arben Pëllumbi, Kryetari i Komisionit për Edukimin
dhe Mjetet e Informimit Publik, z. Agron Gjekmarkaj, si edhe Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Vincenzo
del Monaco.
Ky
takim u zhvillua në zbatim të Vendimeve të Kuvendit, të cilat rregullojnë
funksionimin e Mekanizmit të Monitorimit të zbatimit prej qeverisë të
rekomandimeve të institucioneve të pavarura.
Kjo
mbledhje u mbajt pas depozitimit prej institucioneve të pavarura të raporteve të veprimtarisë vjetore dhe miratimit prej Kuvendit të rezolutave për
veprimtarinë e tyre institucionale, të cilat përmbajnë rekomandime dhe detyra konkrete për
institucionet.
Në fjalën e saj në këtë takim, Kryetarja
e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, theksoi se “Mbarëvajtja e veprimtarisë së
institucioneve të pavarura ka vëmendjen time maksimale, si pjesë e detyrave prioritare
si Kryetare e Kuvendit.
Përgjatë muajit nëntor realizova
takime individuale më të gjithë Ju dhe konfirmoj sërish se Kuvendi do të jetë
jo thjesht një garant i pavarësisë, por edhe një mbështetës për të rritur
autoritetin e institucioneve.
Zbatimi prej institucioneve shtetërore
i rekomandimeve tuaja nuk është një qëllim në vetvete, por detyrë e drejtpërdrejt e tyre, në mbrojtje të
interesave të qytetarëve.
Duke
reflektuar mbi bashkëpunimin tonë njëvjeçar,
vlerësoj se Kuvendi ka zbatuar detyrat kushtetuese për mbështetjen e
institucioneve të pavarura, duke krijuar të gjitha kushtet e burimet për
funksionimin tuaj normal.
Gjatë
vitit 2021 Kuvendi u angazhua për emërimin e titullarëve dhe anëtarëve të
institucioneve të pavarura, duke u siguruar për funksionimin e tyre në kapacitet
të plotë.
Kuvendi, gjatë sesionit të kaluar,
zgjodhi drejtues dhe anëtarë të bordeve të institucioneve dhe miratoi strukturat e reja ose ndryshimet strukturore
për disa institucione.
Komisionet
parlamentare analizuan në mënyrë të hollësishme nevojat buxhetore të paraqitura
nga institucionet e pavarura.
Edhe
për këtë vit buxhetor kryefjala ishin institucionet e drejtësisë, për shumicën
e të cilave, Gjykatën Kushtetuese, SPAK,
KLGJ, ILD, Prokurorinë e Përgjithshme, Kolegjin e Posaçëm të Apelimit,
kemi miratuar shtim të burimeve financiare. Rritje të shpenzimeve buxhetore janë
planifikuar edhe për institucione të tjera, si Kontrolli i Lartë i Shtetit, Komisioni
Qendror i Zgjedhjeve, Avokati i Popullit, Autoriteti për të Drejtën e
Informimit mbi Dokumentet e Ish Sigurimit të Shtetit dhe Komisioni i Prokurimit
Publik.
Kuvendi
ka fuqizuar kontrollin parlamentar,
si një funksion themelor i legjislativit
dhe një mekanizëm për rritjen e përgjegjshmërisë e llogaridhënies ndaj publikut
të institucioneve të pavarura dhe degës ekzekutive të qeverisjes.
Institucionet
e pavarura janë rojet e interesit publik dhe të garantimit të të drejtave të
qytetarëve.
Madje,
këtë Mekanizëm Monitorimi tripalësh e kemi krijuar për të qenë garanti i garantëve.
Për vitin 2021, depozituan raportet e veprimtarisë
vjetore institucionale 28 institucione. Kuvendi miratoi 24 rezoluta për
veprimtarinë institucionale dhe adresoi për to rekomandime e detyra konkrete.
Periudha e raportimeve dhe procedura parlamentare e
parashikuar, është respektuar në mënyrë korrekte, sipas përcaktimeve në
Rregulloren e Kuvendit dhe kërkesave të Vendimit 134/2018 “Për Manualin e
Raportimit Vjetor dhe Periodik”.
Të gjithë institucioneve iu është kërkuar
të informojnë Kuvendin për organikat përkatëse dhe gjendjen faktike të tyre,
por janë përgjigjur vetëm 13 institucione ose 25%.
Ju duhet të bëheni të vetëdijshëm se
Kuvendi, duke qenë vetë korrekt në mbështetjen tuaj, nuk do të tolerojë mosplotësimin
nga ju të detyrimeve kushtetuese, ligjore dhe institucionale.
Gjithashtu,
institucionet kanë dërguar informacion shpjegues në lidhje me nivelin e
zbatimit të rekomandimeve të lënë nga Kuvendi.
Nga
189 rekomandime të lëna për 21 institucione, janë realizuar 60 rekomandime
(32%), 112 janë në proces (59%), 1 është realizuar pjesërisht (1%) dhe 16 janë
të parealizuara (8%).
Përsa
u përket rekomandimeve të institucioneve të pavarura drejtuar institucioneve të
administratës publike, rezulton se Avokati
i Popullit, Autoriteti i Konkurrencës, Komisioneri për Mbrojtjen nga
Diskriminimi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të
Dhënave Personale dhe Komisioneri për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil, kanë
adresuar në total 241 rekomandime ndaj
institucioneve të administratës shtetërore.
Niveli
i zbatimit të rekomandimeve nga institucionet e administratës publike paraqitet,
si më poshtë: Rekomandime të realizuara plotësisht 47 ose
20%; Rekomandime në proces zbatimi 93 ose 38%; Rekomandime të
realizuara pjesërisht 33 ose 14%; Rekomandime të parealizuara 68 ose 28%.
Dëshiroj
të nënvizoj se llogaridhënia publike mbetet një pikë ende e dobët, e evidentuar
nga Mekanizmi i Monitorimit.
Është
urgjente të krjojmë një sinergji funksionale midis të tri palëve të Mekanizmit
të Monitorimit, sidomos në bashkëpunimin midis institucioneve të pavarura dhe
Kuvendit.
Kontrolli dhe mbikëqyrja parlamentare është një e drejte themelore, por edhe një detyrim kushtetues që ka dega legjislative e qeverisjes, për të kontrolluar institucionet publike dhe zbatimin e politikave publike, në shërbim të qytetarëve.”
Kryetarët e komisioneve të përhershme
parlamentare, të pranishëm në takim, nënvizuan nevojën e përmirësimit të punës
së institucioneve të pavarura për zbatimin e rezolutave të Kuvendit si edhe
ndjekjen më dinamike të zbatimit të rekomandimeve të tyre prej institucioneve
shtetërore.
Drejtuesit e institucioneve vlerësuan
mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë ndaj veprimtarisë së tyre dhe paraqitën
disa prej sfidave me të cilat po përballen për rritjen e efektivitetit dhe
eficiencës së veprimtarisë së tyre.