Komisioni i Ligjeve rrëzoi një Dekret të Presidentit, miratoi Aktin normativ për rishikimin e Buxhetit të vitit 2021 dhe projektligjin “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore”
- Postuar më, 15/12/2021

15
dhjetor 2021
Në drejtimin
e kryetares znj.Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën
Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen e radhës shqyrtoi dekretin e
Presidentit të Republikës për kthimin për rishqyrtim të ligjit “Për bashkëqeverisjen”,
Aktin normativ për rishikimin e Buxhetit të vitit 2021, si dhe projektligjin
“Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore”. Të ftuar për shqyrtimin e Dekretit të Presidentit
të Republikës nr.13.343, datë 26.11.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 107/2021
“Për bashkëqeverisjen” ishin z. Bledar Dervishi, këshilltar i Presidentit,
znj.Elisa Spiropali, ministre Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, etj. Z.Dervishi
paraqiti para komisionit arsyet e kthimit të ligjit për rishqyrtim në Kuvend,
duke parashtruar se vërehet një mospërputhje të parashikimeve të ligjit, jo
vetëm me kuadrin ligjor në fuqi, por edhe vetë mënyra se si është konceptuar
funksionimi, organizimi dhe kompetencat e Agjencisë për Dialog dhe
Bashkëqeverisje. “Ky ligj në tërësinë e tij cenon dispozita konkrete të
Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, parimin e
autonomisë vendore, parimin e sigurisë juridike, hierarkinë e akteve, si dhe centralizon
edhe më shumë kontrollin dhe pushtetin tek një institucion në varësi direkte nga
Kryeministri”, u shpreh z.Dervishi duke shtuar se për hartimin e tij nuk janë
respektuar parashikimeve të ligjit nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin
publik”, si dhe bie ndesh me Kodin e Procedurave Administrative, si dhe ligjin nr. 10385, datë 24.02.201, “Për
ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, i ndryshuar. Ministrja Elisa
Spiropali paraqiti kundër-argumentet e qeverisë për Dekretin e Presidentit,
duke theksuar se: “të gjitha pretendimet dhe arsyet e kthimit të ligjit nga
Presidenti, janë të pabazuara, të paargumentuara dhe provuara me mospërputhje
konkrete kushtetuese apo ligjore, ndaj dhe ju ftoj të votojmë kundër këtij
dekreti, për një ligj që është ligji i qytetarëve dhe për qytetarët”. Kryetarja
e komisionit, Klotilda Bushka, në cilësinë e relatores vlerësoi se në arsyet e
sjella nga Presidenti për mosdekretimin e ligjit nuk ka argumente për nene
konkrete, por vetëm diskutime të përgjithshme për mënyrën se si perceptohet ligji. Duke e
vlerësuar ligjin si tepër të rëndësishëm, sepse fuqizon qytetarët për të qenë
pjesë e procesit vendimmarrës, znj.Bushka ftoi kolegët të votojnë kundër
Dekretit të Presidentit. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni votoi kundër
Dekretit të Presidentit të Republikës për kthimin për rishqyrtim të ligjit “Për
bashkëqeverisjen” dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare.
Më tej
në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, komisioni shqyrtoi Aktin
Normativ nr. 34, datë 03.12.2021 “Për disa ndryshime në ligjin nr.137/2020,
“Për Buxhetin e Vitit 2021”, të ndryshuar”, i cili u prezantua nga znj. Adela Xhemali,
zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë dhe u relatua për komisionin nga
deputeti Klevis Xhoxhi.
Znj.Xhemali
sqaroi se rishikimi i buxhetit të vitit 2021 ka për qëllim rialokimin e të
ardhurave shtesë, prej 18.2 miliardë lekësh dhe do të ketë në fokus: dhënien e
shpërblimit në masën 5 mijë lekë për pensionistët, rialokimet mes zërave të
shpenzimeve buxhetore korente dhe kapitale, si dhe reflektimin në kahun e të
ardhurave të rritjes së realizuar kryesisht prej performancës së mirë të administratës
tatimore. Znj.Xhemali theksoi se ndryshimet nuk prekin deficitin buxhetor. “Kjo,
nisur nga ecuria pozitive e të ardhurave buxhetore për 10 mujorin 2021 dhe
pritshmëria gjithashtu pozitive e realizimit të tyre në nivel vjetor, që ka
sjellë edhe mbulimin e plotë të të gjitha nevojave për financim në kahun e
shpenzimeve, të akomoduara përmes këtij akti normativ për vitin 2021”, përfundoi
znj.Xhemali. Pas pyetjeve dhe diskutimeve komisioni miratoi me shumicë votash Aktin
Normativ në fjalë dhe vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për Agjencinë e
Mbikëqyrjes Policore”. Të ftuar në
mbledhjen e komisionit ishin z.Julian Hodaj, zëvendësministër i Brendshëm,
z.Adriatik Ago, zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i SHÇBA-së, përfaqësues nga
ICITAP, si dhe stafi teknik i MB-së. Në
nisje të diskutimeve, Kryetarja Bushka
parashtroi se pas prezantimit të projektligjit është ngritur një grup teknik
pune, i kryesuar nga deputetja znj.Ermonela Felaj në cilësinë e relatores, me përfaqësues
nga Ministria e Brendshme, SHÇBA, ICITAP,
DPSH, etj. për draftimin e një varianti final të projektligjit, ku u adresuan
një sërë çështje që kishin hasur diskutime. Znj.Felaj bëri një prezantim të
rezultatit të grupit të punës dhe ndryshimeve përkatëse të draftit të
konsoliduar, ku janë reflektuar komentet dhe sugjerimet e dërguara nga: dpsh, shish, dsik, Prokurorisë së Përgjithshme,
ICITAP, etj. Gjatë shpjegimit të projektligjit, znj.Felaj nënvizoi se SHÇBA në
kuadër të Reformës në Drejtësi dhe reformimit të Policisë së Shtetit, ka kryer detyra
dhe funksione që nuk normohen në ligjin ekzistues të miratuar në vitin 2014, çka
ka sjellë nevojën e ndryshimit të ligjit në fuqi, si dhe në të njëjtën kohë të
synohet reformimi i SHÇBA-së, në një agjenci inteligjente për të luftuar
korrupsionin dhe parandaluar
veprimtarinë e paligjshmërisë, duke e përafruar me agjencitë homologe të BE-së.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi
projektligjin në fjalë.