Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, vizitë zyrtare në Turqi, takon homologun Mustafa Sentop. Kryeparlamentarët mbështesin Partneritetin Strategjik në shërbim të zhvillimit, stabilitetit e paqes

  • Postuar më, 28/12/2021

Me ftesë të Kryetarit të Asamblesë së Madhe të Republikës së Turqisë, z. Mustafa Sentop, Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, po zhvillon një vizitë zyrtare në Turqi. Në përbërje të delegacionit janë edhe deputetët Shpresa Marnoj dhe Shpëtim Idrizi.

Vizita nisi me vendosjen e kurorës në mauzoleun e Mustafa Kemal Atatürk, themeluesit, reformatorit dhe modernizuesit të madh të Republikës së Turqisë.

Në Pallatin e Asamblesë së Madhe të Republikës, Kryetarja Lindita Nikolla u prit nga Kryetari Mustafa Sentop. Kryetarja Nikolla nënvizoi se “Lidhjet midis Shqipërisë dhe Turqisë janë të thella, të fuqishme, tradicionale dhe vëllazërore. Bashkëpunimi parlamentar midis të dy vendeve është i shkëlqyer dhe ka sfiduar edhe kufizimet dhe vështirësitë  e pandemisë. Asambleja dhe Kuvendi po zgjerojnë e intensifikojnë bashkëpunimin parlamentar dhe nxisin e mbështesin bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat. Vizita juaj në Tiranë në shkurt 2021 si dhe vizita ime në Ankara janë shprehje të qarta të vullnetit politik për intensifikimin dhe thellimin e bashkëpunimit parlamentar. Ne inkurajojmë edhe bashkëpunimin e shkëlqyer  midis grupeve parlamentare të miqësisë dhe midis komisioneve e shërbimeve parlamentare.”

Kryetarja Nikolla përshëndeti nënshkrimin e "Deklaratës së Përbashkët Politike", e cila ngriti marrëdhënien dypalëshe me nivelin e partneritetit strategjik,  dhe  konfirmoi vullnetin e të dy vendeve për hapjen e një kapitulli të ri bashkëpunimi.

Shqipëria vlerëson partneritetin strategjik dhe marrëdhëniet tradicionale shumë të mira e miqësore me Turqinë, në shërbim të fqinjësisë së mirë, zhvillimit, stabilitetit, paqes e përparimit në rajon e më gjerë. Shqipëria dhe Turqia janë partnerë të ngushtë e të besueshëm në NATO dhe po punojnë për të arritur objektivin kombëtar, anëtarësimin në BE.

Turqia është partneri i katërt tregtar i Shqipërisë. Investimet turke kapin shifrën e 3.6 miliard dollarëve, ndërkohë që rreth 15 mijë shtetas shqiptar punojnë në kompanitë turke në Shqipëri.

Kryetarja  Nikolla vlerësoi rritjen e bashkëpunimit gjatë viteve të fundit në fushën e sigurisë, mbrojtjes, arsimit, kulturës, turizmit, transportit dhe shëndetësisë, vlerësoi ngritjen për një periudhë shumë të shkurtër të Spitalit Rajonal në Fier, dhe vuri në dukje se Shqipëria mirëpret të investimet turke edhe në teknologji, industrinë përpunuese, industrinë e veshmbathjes, bujqësi, blegtori etj.

 

Znj. Nikolla shprehu mirënjohjen për ndihmën e Turqisë për përballimin e pasojave të tërmetit dhe theksoi se 524 apartamentet e banimit të financuara nga qeveria turke në Bashkinë e Kurbinit janë gati për të strehuar familjet e dëmtuara në muajin janar 2022.

Shqipëria është mirënjohëse për ndihmën e Turqisë edhe për përballimin e pandemisë.

Kryetari i Asamblesë së Madhe të Republikës së Turqisë, z. Mustafa Sentop, vuri në dukje se populli shqiptar ka një vend të veçantë në zemrat e popullit turk dhe bashkëpunimi midis të dy vendeve fuqizohet nga marrëdhëniet tradicionale, solidariteti, partneriteti ynë strategjik si edhe bashkëpunimi në organizatat ndërkombëtare. Turqia ndjek me vëmendje dhe mbështet zhvillimin dhe stabilitetin e Shqipërisë, si një politikë për gjithë rajonin. Ne do të zgjerojmë bashkëpunimin midis Asamblesë së Madhe dhe Kuvendit, midis grupeve parlamentare të miqësisë, komisioneve, deputetëve dhe shërbimeve parlamentare. 

Deputetët Shpëtim Idrizi dhe Shpresa Marnoj shprehën vullnetin për të intensifikuar bashkëpunimin midis grupeve parlamentare të miqësisë si edhe mirënjohjen e komuniteteve që përfaqësojnë për ndihmën e Turqisë ndaj Shqipërisë.

Gjatë takimit me Kryetaren e Grupit Parlamentar  të Miqësisë me Shqipërinë, znj. Fatma Aksal, dhe anëtarë të grupit u diskutua mbi rritjen e kontributit të grupeve parlamentare të miqësisë në bashkëpunimin midis Kuvendit dhe Asamblesë së Madhe, midis komisioneve parlamentare e deputetëve, bashkëpunimin për rritjen e pjesëmarrjes politike, parlamentare, ekonomike e shoqërore të grave si edhe mbështetjen e bashkëpunimit të gjithanshëm dypalësh.

Gjatë takimit me Ministrin e Punëve të Jashtme, Mevlüt ?avusoglu, u diskutua mbi partneritetin strategjik, bashkëpunimin e shkëlqyer politik, miqësinë,  bashkëpunimin dhe solidaritetin midis të dy vendeve, bashkëpunimin në kuadrin e organizatave ndërkombëtare e nismave rajonale dhe  vazhdimin e lobimit të Turqisë për shtimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, pranimin e saj në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.


Share