Presidenti Erdogan pret Kryeparlamentaren Nikolla: “Së shpejti në Shqipëri për inaugurimin e apartamenteve për familjet e dëmtuara nga tërmeti në Kurbin”

  • Postuar më, 28/12/2021

Në vijim të vizitës zyrtare në Turqi, një  pritje të ngrohtë i rezervoi Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, edhe Presidenti i Republikës, z. Recep Tayyip Erdogan,


Gjatë takimit në Pallatin Presidencial, Kryetarja Nikolla shprehu mirënjohjen e thellë “Për rolin, angazhimin dhe kontributin personal të Presidentit Erdogan në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe partneritetit strategjik midis të dy vendeve. Ne gjithashtu vlerësojmë dhe Ju falenderojmë për rolin e Turqisë si lobuese e fuqishme në njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare, zërin e fuqishëm të Turqisë në NATO për  institucionalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, si një premisë drejt paqes e stabilitetit në Ballkanin Perendimor, dhe do të dëshironim angazhimin e Turqisë edhe në ndalimin e fushatës së Serbisë për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga disa shtete.”

Kryetarja Nikolla i shprehu Presidentit Erdogan mirënjohjen e thellë për ndihmën e që Qeveria turke i ofroi Shqipërisë për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe të pandemisë dhe e informoi se 524 apartamentet e banimit në bashkinë e Kurbinit kanë përfunduar dhe janë gati të presin familjet në janar 2022.


Presidenti Recep Tayyip Erdogan rikonfirmoi vendosmërinë për mbështetjen e pakursyer për Shqipërinë, zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh dhe të Partneritetit Strategjik midis Shqipërisë dhe Turqisë dhe dha lajmin e mirë se do vijë personalisht në Shqipëri për inaugurimin e apartamenteve të banimit për familjet e Bashkisë së Kurbinit të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit.


Share