Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, uron Presidentin e Asamblesë Kombëtare, Ferrand, për Presidencën franceze të BE-së: Besojmë se Konferenca e Parë Ndërqeveritare të do të mbahet sa më shpejt
- Postuar më, 07/01/2022

Kryetarja e Kuvendit, znj.
Lindita Nikolla, i ka dërguar një letër urimi Presidentit të
Asamblesë Kombëtare të Francës, z. Richard Ferrand, me rastin e marrjes
nga Franca të Presidencës së BE-së
“Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, shpreh urimet
dhe besimin se Presidenca Franceze do të shënojë një sukses drejt fuqizimit të
Bashkimit Evropian, konsolidimit të vlerave evropiane dhe rritjes së
kontributit në zhvillimin, mirëqenien dhe paqen e sigurinë në kontinent e më
gjerë.
Franca është një mike dhe partnere e
rëndësishme e Shqipërisë në NATO, një mbështetëse e rrugëtimit tonë evropian, e
zhvillimit ekonomik dhe konsolidimit të vlerave dhe institucioneve demokratike. Ne i jemi mirënjohës Asamblesë
Kombëtare të Francës dhe Ju personalisht për mbështetjen e deritanishme të integrimit
evropian të Shqipërisë.
Shqipëria mirëpret vazhdimin nga Presidenca
Franceze të politikave e hapave të zgjerimit, dhe përfshirjen në prioritetet e
saj të avancimit, thellimit të bashkëpunimit dhe rritjen e rolit aktiv në
Ballkanin Perëndimor, mbështetjen e vazhdimit të negociatave me Shqipërinë dhe
Maqedoninë e Veriut, mbështetjen për vazhdimin e thellimin e reformave, nxitjen
e bashkëpunimit rajonal si edhe organizimin e Konferencës për Ballkanin
Perëndimor në qershor 2022.
Kuvendi i Shqipërisë dhe unë personalisht jemi
të bindur se, duke pasur edhe mbështetjen e Asamblesë Kombëtare dhe Tuajën
personalisht, Konferenca e Parë Ndërqeveritare BE-Shqipëri do të mbahet sa më
shpejt gjatë Presidencës Franceze.”, shkruan Kryetarja
e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla. në letrën drejtuar Presidentit
të Asamblesë Kombëtare të Francës, z.
Richard Ferrand.