THIRRJE PËR ORGANIZATAT E SHOQËRISË CIVILE DHE MEDIAT

  • Postuar më, 14/01/2022

THIRRJE PËR ORGANIZATAT E SHOQËRISË CIVILE DHE MEDIAT

Zhvillimi i standardeve të transparencës dhe edukimit qytetar

 

Kuvendi i Shqipërisë fton organizatat e shoqërisë civile dhe përfaqësues të medias për të bashkëpunuar  në zhvillimin e standardeve të transparencës dhe edukimit qytetar. Ky proçes ka si qëllim të përmirësojë transparencën parlamentare dhe të nxisë angazhimin e shoqërisë civile dhe qytetarëve në vendimmarrje. Kjo është një nismë e Sekretariatit të Kuvendit për Transparencën dhe Teknologjinë e Informacionit, në kuadër të projektit “Për mbështetjen e Parlamentit dhe Edukimin Qytetar” (PACEP), mbështetur nga Agjencia Zviverane për Bashkëpunim dhe Zhvillim” (SDC) dhe zbatuar nga Instituti Demokratik Amerikan (NDI).

 

Konteksti

 

Trendet e fundit globale dhe rajonale vënë theksin tek një ndërveprim më i strukturuar dhe agjendë e përbashkët Kuvend-Shoqëri Civile, për të promovuar transparencën dhe pjesëmarrjen qytetare. Kjo qasje është konceptuar dhe promovuar në kuadër të Partneritetit për Qeverisje të Hapur (OGP), si një nismë multilaterale që synon të sigurojë përkushtimin e shteteve anëtare në promovimin e transparencës dhe pjesëmarrjes qytetare. Në kuadër të Partneritetit për Qeverisje të Hapur (OGP), është zhvilluar një nismë për të përfshirë parlamentet në planet kombëtare të OGP, nëpërmjet krijimit të grupeve të përbashkëta Kuvend-Shoqëri Civile dhe zhvillimit të Planeve për Parlament të Hapur.

 

Shqipëria është anëtarësuar në OGP me 2 gusht të vitit 2011 dhe së fundmi ka zhvilluar planin e tij kombëtar për katër vitet e ardhshme. Ky plan ende nuk ka një kapitull të vecantë për Kuvendin.Kuvendi me mbështetjen e Institutit Demokratik Amerikan (NDI) ka si qëllim të hartojë Planin e Veprimit për Parlament të Hapur. Në 2020, Kuvendi në bashkëpunim me NDI zhvilloi një studim për transparencën dhe edukimin qytetar, rezultatet e të cilit diktuan nevojën për të krijuar një dialog konstruktiv midis Kuvendit dhe shoqërisë civile mbi çështjet e transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve. Rezultatet e studimit gjithashtu theksuan rëndësinë e zhvillimit të standardeve dhe indikatorëve të dakordësuara nga të gjitha palët (Kuvendi, shoqëria civile). Standardet do të shërbejnë si udhërrëfyes në  bashkëkrijimin e Planit për Parlament të Hapur, i cili përcakton masat që duhen të ndërmerren për të avancuar agjendën e transparencës.

 

 

Kriteret e aplikimit

- OSHC e interesuara duhet të jenë të regjistruara në Regjistrin e Kuvendit për Shoqërinë Civile.

- Mediat duhet të jenë të akredituara në Kuvend

- Përvojë/angazhim të mëparshëm me Kuvendin në çështjet e transparencës, llogaridhënies pjesëmarrjes qytetare)

 

Aplikimet dorëzohen përmes postës elektronike tek Ejona Manjani në Ejona.Manjani@parlament.al, si dhe duke plotësuar formulari në linkun e mëposhtëm, jo më vonë se data 1 Shkurt 2022.

 

Kliko këtu për të plotësuar Formën e Aplikimit


Share