Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi një projektligj dhe 2 akte normative

  • Postuar më, 19/01/2022

19 janar 2022

 Në drejtimin e Kryetares znj.Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen e radhës shqyrtoi dhe miratoi një projektligj dhe 2 akte normative. Fillimisht në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi u mor në shqyrtim projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Europian, në lidhje me Programin Vjetor të Veprimit për Shqipërinë për vitin 2020 në kuadër të instrumentit të asistencës së paraanëtarësimit (IPA II)”, i cili u prezantua nga znj.Megi Fino, zëvendësministre për Europën dhe Punët e Jashtme dhe u relatua nga deputeti z.Klevis Xhoxhi. Znj.Fino gjatë prezantimit u ndal në qëllimin dhe thelbin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Evropian, në lidhje me programin vjetor të veprimit për Shqipërinë për vitin 2020, në kuadër të instrumentit të asistencës së paraanëtarësimit IPA II, e cila është miratuar në parim nga qeveria shqiptare nëpërmjet VKM nr.157, datë 17.3.2021 dhe është nënshkruar nga Koordinatori Kombëtar i Fondeve IPA më datë12 prill të vitit 2021. “Programi IPA 2020 përbëhet nga 7 veprime në sektorët:Demokracia dhe qeverisja,  Shteti i së drejtës dhe të drejtat themelore; si dhe Konkurrueshmëria, inocavioni, bujqësia dhe zhvillimi rural”, u shpreh znj.Fino. Duke detajuar përmbajtjen e veprimeve, ndër të tjera znj.Fino sqaroi se mbështetja financiare e BE do të ketë si objektiva të përgjithshëm përmirësimin e kapaciteteve të administratës publike në nivel qendror dhe vendor; forcimin e kapaciteteve të agjencive ligjzbatuese dhe institucioneve të pavarura të drejtësisë; zbutjen e pasojave ekonomike dhe sociale të pandemisë COVID-19 në Shqipëri, duke reduktuar efektet makroekonomike dhe përçarjet në ekonomi dhe duke garantuar që bizneset vulnerabël dhe të papunët të kenë akses në ndihmë ekonomike, etj. Për komisionin relatoi deputeti z.Klevis Xhoxhi, i cili kërkoi nga kolegët mbështetjen me votë të projektligjit, duke vlerësuar se është në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, si dhe Rregulloren e Kuvendit.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi marrëveshjen në fjalë dhe vijoi në shqyrtimin e shqyrtimin e Aktit Normativ nr. 35, datë 24.12.2021 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 90/2019, “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, të ndryshuar”” dhe Aktit Normativ 36, datë 24.12.2021 “Për një shtesë në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. Të dy nismat u prezantuan për komisionin nga znj.Vasilika Vjero zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë. Për Aktin Normativ nr. 35, datë 24.12.2021, znj.Vjero sqaroi se nisma është ndërmarrë pas propozimeve dhe kërkesave të përsëritura nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, me qëllim që të gjithë qytetarët, që kanë nisur procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme në kuadër të ligjit nr. 90/2019, “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, të kenë mundësi ta përfundojnë këtë proces.

Znj.Vjero sqaroi se ligji në fuqi ka parashikuar të drejtën e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme për periudhën nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji deri më 31 dhjetor 2020, por situata e krijuar nga tërmeti dhe pandemia COVID-19, ka bërë që një pjesë e mirë e individëve apo bizneseve nuk kanë mundur të përfundojnë këtë proces, pavarësisht se kanë kryer aplikimin. “Janë 64 mijë aplikime, ndërkohë që vetëm 34 mijë kanë kryer pagesën e procesit të rivlerësimit, pra gati gjysma e tyre pavarësisht se kanë kryer aplikimin, ende nuk kanë kryer pagesën”, u shpreh znj.Vjero, duke shtuar se në rrethana të tilla, ASHK-ja për tu lënë kohën e mjaftueshme të gjithë qytetarëve që kanë nisur ose që kanë interes të kryejnë procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, fillimisht ka propozuar zgjatjen e afatit të aplikimit deri më datën 30 prill 2022.

“ASHK ka bërë dhe një propozim tjetër, i cili ka gjetur mbështetje pranë MFE-së, që për të lehtësuar të gjithë procesin e përpunimit të kërkesave, për kërkesat e depozituara brenda datës 30 prill 2022 dhe që kërkojnë kohë për tu përpunuar, afati i  pagesës për rivlerësimin të pasurisë të mund të zgjatet deri në fund të muajit korrik 2022”, shtoi znj.Vjero. Akti Normativ gjeti mbështetjen e relatorit z.Ergys Çyrbja, i cili duke theksuar rëndësinë e nismës, sqaroi nevojën dhe urgjencën për t’i dhënë kohën e mjaftueshme të gjithë qytetarëve që kanë nisur  ose që kanë interes të kryejnë procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme. Pas diskutimeve dhe pyetjeve, komisioni miratoi me 11 vota pro dhe 7 kundër, aktin normativ dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare.

Gjatë prezantimit të Aktit Normativ nr.36, datë 24.12.2021 “Për një shtesë në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, znj.Vjero sqaroi se nisma synon shtyrjen e afatit të vendosjes së penaliteteve administrative për disa kategori tatimpaguesish që lidhen me hyrjen në fuqi të ligjit nr.87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit pas datës 30.6.2022, dhe jo që në 1 janar 2022, siç parashikon ligji. Përfitues do të jenë biznesi i vogël; tatimpaguesit që ofrojnë furnizimin me ujë për konsumatorët finalë, tregu i rregulluar i energjisë elektrike; si dhe bankat apo institucionet financiare për njoftimin e pagesave të e-Faturave, të lëshuara nga subjektet tatimpaguese. Pas diskutimeve dhe pyetjeve, komisioni miratoi aktin normativ dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare.

 

 


Share