Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi tre projektligje
- Postuar më, 19/01/2022

19 janar 2022
Komisioni
për Politikën e Jashtme, në drejtimin e Kryetares, znj. Mimi Kodheli, në
cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, miratoi në mbledhjen e sotme projektligjet:
“Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe
Mbretërisë së Spanjës si shtesë e Konventës Evropiane për Ekstradimin të vitit
1957”; “ Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së
Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (Huamarrësi)
dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për financimin e projektit “Politika për
mbështetjen e reformës në sektorin energjetik në Shqipëri” dhe projektligjin
“Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë
(Huamarrësi), përfaqësuar nga ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe (KfW)
për rehabilitimin me efiçencë energjetike të konvikteve studentore të
Universiteteve Publike në Shqipëri”.
Pas
miratimit të kalendarit trejavor të punës së komisionit dhe miratimit të
programit të punës për periudhën 17 janar – 25 shkurt 2022, komisioni mori në
shqyrtim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së
Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës si shtesë e Konventës Evropiane për
Ekstradimin të vitit 1957”. E pranishme në komision për këtë projektligj ishte
znj. Adea Pirdeni, zëvendësministre e Drejtësisë, e cila sqaroi se qëllimi i
projektligjit është plotësimi i kuadrit juridik në fushën e bashkëpunimit të
ndërsjelltë në fushën penale dhe lehtësimit të procedurave të ekstradimit të
shtetasve ndërmjet Republikës së
Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës dhe se ratifikimi i marrëveshjes mes dy
vendeve, synon eliminimin e pengesa
ligjore që rrjedhin nga Konventa Evropiane për Ekstradimin e datës 13 dhjetor
1957. “Marrëveshja ka kalur nëpër të gjitha fazat e parashikuara në
legjislacionin për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në RSH. Marrëveshja
është miratuar, në parim, nga Këshilli i Ministrave me vendimin nr.560, datë 29.9.2021
dhe është nënshkruar në datën 4.10.2021 në Madrid nga kryeministrat e të dy
vendeve”, u shpreh znj.Pirdeni. Për komisionin relatoi deputeti Petro Koçi, i cili
kërkoi nga kolegët mbështetjen me votë të projektligjit, duke e konsideruar si një
marrëveshje të rëndësishme për luftën e përbashkët ndaj kriminalitetit dhe
ndihmon në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën penale. Në
përfundim të diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin
në fjalë.
Komisioni vijoi me shqyrtimin e projekligjit “ Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (Huamarrësi) dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për financimin e projektit “Politika për mbështetjen e reformës në sektorin energjetik në Shqipëri” dhe projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (Huamarrësi), përfaqësuar nga ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe (KfW) për rehabilitimin me efiçencë energjetike të konvikteve studentore të Universiteteve Publike në Shqipëri”, që u prezantuan nga z.Ilir Bejtja, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe znj.Kesjana Halili, Drejtoreshë e Përgjithshme e Borxhit Publik dhe Bashkërendimit të Ndihmës së Huaj në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.
Projekligji i parë synon ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Shqipërisë dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për financimin e projektit “Politika për mbështetjen e reformës në sektorin energjetik në Shqipëri”, në vlerën 50 milionë euro. Projektligji është në përputhje me angazhimet e memorandumit të mirëkuptimit për bashkëpunimin financiar ndërmjet Shqipërisë, Francës dhe Gjermanisë lidhur me programin “Mbështetja e reformës në sektorin energjetik në Shqipëri”, nënshkruar në vitin 2018. Deputeti Benet Beci, si relator i projektligjit, vlerësoi rëndësinë e mbështetjes së reformës në energji dhe ftoi kolegët për miratimin e projekligjit. Në përfundim të pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni e miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.
Projektligji i fundit synon ratifikimi i marrëveshjes së huas, ndërmjet Shqipërisë dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për rehabilitimin me efiçencë energjetike të konvikteve studentore të universiteteve publike në Shqipëri, që financohen nga qeveria federale gjermane nëpërmjet KfW-së, me një hua, në shumën prej 20 milionë eurosh, e cila do të kontribuojë në rehabilitimin energjetik të konvikteve dhe ndërtimin e disa konvikteve të reja. Projektligji mori mbështetjen e relatorit z.Besjan Ajazi, i cili e vlerësoi si tepër të rëndësishëm hapat e ndërmarrë për sigurimin e kushteve sa më të përshtatshme për studentët dhe reduktimin e kostove të akomodimit të tyre në godinat e konvikteve. Në përfundim të pyetjeve dhe diskutimeve komisioni e miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.