Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi në parim tre projektligje
- Postuar më, 20/01/2022

20 janar 2022
Në drejtimin e Kryetarit z.Arben Pëllumbi,
komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e tij
të radhës dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës shqyrtoi në parim projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.
105/2016 “Për mbrojtjen e bimëve”"; projektligjin “Për disa
shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9863, datë 28.1.2008, “Për ushqimin” i
ndryshuar”” dhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 10465,
datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të
ndryshuar”’.
Fillimisht komisioni shqyrtoi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime
në ligjin nr. 105/2016 “Për mbrojtjen e bimëve”"; i cili u prezantua nga
znj.Frida Krifca, ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe u relatua nga
deputeti Baftjar
Zeqaj. Gjatë prezantimit të nismës znj.Krifca u ndal tek risitë e sjella në
ligjin “Për mbrojtjen e bimëve”, të cilat kanë për qëllim
garantimin
e mbrojtjes së shëndetit të
bimëve dhe produkteve bimore, si dhe theksoi se ndryshimet ligjore
do të krijojnë mundësitë e nevojshme
për forcimin e sigurisë
ushqimore në çdo
hallkë të zinxhirit
ushqimor sipas parimit
“nga ferma në tavolinë”.
“Ligji në vetvete përbën dy shtylla kryesore :shëndetin e bimëve dhe
produkteve për mbrojtjen e bimëve me synim garantimin dhe funksionimin e kontrollit
të plotë të hallkave të zinxhirit të sigurisë ushqimore nga institucionet
zbatuese, si dhe forcimin e gjurmueshmërisë”, u shpeh znj.Krifca, duke shtuar
se ndryshimet e propozuara prekin dhe rregullojnë vetëm çështje që lidhen me shëndetin
e bimëve, duke iu referuar rregulloreve përkatëse të BE-së. Deputeti Baftjar Zeqaj
gjatë relatimit vlerësoi rëndësinë e nismës, që sipas tij ndihmon dhe forcon kontrollin dhe monitorimin e të gjitha hallkave të zinxhirit
ushqimor. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim
projektligjin, ndërsa shqyrtimi nen për nen i tij do të vijojë në një nga
mbledhjet e radhës.
Komisioni vijoi me shqyrtimin
e 2 nismave të kryetarit të komisionit z. Arben Pëllumbi, “Për disa shtesa dhe
ndryshime në ligjin nr. 9863, datë 28.1.2008, “Për ushqimin” i ndryshuar”” dhe “Për
disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 10465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin
veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”’. Nismëtari shpjegoi se
ndryshimet që propozohen në dy ligjet në fuqi, kanë për qëllim përmirësimin e kuadrit ligjor dhe lehtësimin e
procesit të dokumentacionit, por edhe procedurat e kontrollit në pikat e
kalimit kufitar, me qëllim final lehtësimin e biznesit që importon dhe ekporton
produkte bujqësore dhe blegtorale. “Propozimet konsitojnë që këto ndryshime
marrin vlerë në rastet kur qeveria shqiptare lidh një marrëveshje bilaterale
apo multilaterale me shtete të tjera dhe në këtë aspekt, në pikat e kalimit
kufitar procedurat e kontrollit lehtësohen, duke ia deleguar doganave të
brendshme”, u shpreh z.Pëllumbi, duke nënvizuar se synimi bazë i ndryshimeve është
lehtësimi i procedurave, por pa cënuar në asnjë moment kontrollin dhe sigurinë e
produkteve ushqimore. “Në thelb këto ndryshime e propozuara do të ndikojnë në
shkëmbimet tregtare rajonale, në Ballkanin Perëndimor, por nga ana tjetër
shikohet dhe si një fillim i një ushtrimi, me të cilin ne do të përballemi kur
të nisim të jemi pjesë e po të njëjtave procedurave në BE-së”, përfundoi z.Pëllumbi.
Nismat morën mbështetjen e dy relatorëve, znj.Tatiana Piro dhe z. Fadil Nasufi,
të cilat theksuan se ndryshimet e propozuara do të përmirësojnë legjislacionin
në fuqi dhe lehtësojnë procedurat, duke i ardhur në ndihme biznesit. Pas diskutimeve, komisioni i miratoi parimisht
dy projektligjet, ndërsa shqyrtimi nen për nen i tyre do të vijojë në mbledhjet e ardhshme.