Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, përshëndet 102-vjetorin e parlamentarizmit shqiptar: Mirënjohje të thellë për veprën e ndritur të parlamentareve të parë të Shqipërisë

  • Postuar më, 21/01/2022

102 vjet më parë, më 21 janar 1920, filloi punimet Kongresi i Lushnjes, i cili shënon fillimet e parlamentarizmit shqiptar. Rrallë ka ndodhur në histori që në më pak se një dekadë pas themelimit të shtetit të pavarur, ky shtet të ketë pluralizmin dhe parlamentin e vet demokratik. Këtë ia mundësuan Shqipërisë burrat e urtë e të mençur, delegatët e Kongresit të Lushnjes. Gjithashtu, rrallë gjen në historinë tonë, që një ngjarje e vetme të ketë prodhuar kaq shumë vendime e ndikim kombëtar. Themelimi i parlamentarizmit, konsolidimi i pavarësisë, fillimet e betejave diplomatike për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe integritetit të Shqipërisë, ndërtimi i administratës shtetërore, krijimi i forcave të rendit dhe projektimi e ndërtimi i sistemit arsimor, nisën nga Kongresi i Lushnjes. Mirënjohje të thellë, në emër të Kuvendit të Shqipërisë, për veprën e ndritur të patriotëve dhe parlamentareve të parë të Shqipërisë!


Share