Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi 2 projektligje

  • Postuar më, 24/01/2022

 24 janar 2022

 Në drejtimin e kryetares znj.Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen e radhës shqyrtoi dhe miratoi dy projektligje. Pas miratimit të procesverbaleve të mbledhjeve datë 05.11.2021 dhe datë 06.12.2021, në cilësinë e komisionit përgjegjës u mor në shqyrtim projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 110/2018 “Për noterinë”, i cili u prezantua nga z.Ulsi Manja, ministër i Drejtësisë dhe u relatua nga deputeti z.Klevis Xhoxhi.       

Ministri Manja fillimisht parashtroi se qëllimi dhe nevoja për rishikimin e ligjit aktual “Për noterinë”, i miratuar në vitin 2018, lidhet me detyrimet e qeverisë shqiptare për përmbushjen e rekomandimeve të FATF-së dhe MONEYVAL, në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. “Qëllimi i këtyre ndryshimeve në këtë ligj ka të bëjë me futjen e disa mekanizmave të kontrollit, që kanë të bëjnë me rritjen e integritetit dhe besueshmërisë profesionale dhe rritjes së cilësisë së shërbimit noterial për qytetarët shqiptarë”, u shpreh z. Manja. Duke u ndalur tek risitë, ministri i Drejtësisë sqaroi se mekanizmat e kontrollit që propozohen në këtë ligj, kanë të bëjnë me futjen e të njëjtave mekanizma kontrolli si ato parashikuara për pranimin e kandidatëve në Shkollën e Magjistraturës. “Ky projektligj që sjellim sot, do t’i japë fund njëherë e mirë praktikës së dhënies së licencave pa asnjë kriter, nëpërmjet përfshirjes së këtyre mekanizmave filtrues efektiv, për ta bërë shërbimin noterial sa më profesional, me integritet, por dhe duke shmangur abuzimet në këtë drejtim”, nënvizoi z.Manja.

Për komisionin relatoi deputeti z.Klevis Xhoxhi, i cili kërkoi nga kolegët mbështetjen me votë të projektligjit, duke vlerësuar se është në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, si dhe Rregulloren e Kuvendit. Pas diskutimeve dhe sygjerimeve për rifomulimin e neneve të caktuara, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projekligjin në fjalë dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare.

Më tej, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, komisioni mori në shqyrtim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (huamarrësi), dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për financimin e projektit “Politika për mbështetjen e reformës në sektorin energjetik në Shqipëri”, për të cilin ishin ftuar znj.Delina Ibrahimaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë dhe z.Ilir Bejtja, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.

Znj.Ibrahimaj  sqaroi se ratifikimi i marrëveshjes së huas, ndërmjet Shqipërisë dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për financimin e projektit “Politika për mbështetjen e reformës në sektorin energjetik në Shqipëri”, në vlerën 50 milionë euro, synon avancimin e reformës në sektorin energjitik. Ministrja shtoi se marrëveshja vjen në përputhje edhe me angazhimet e memorandumit të mirëkuptimit për bashkëpunimin financiar ndërmjet Shqipërisë, Francës dhe Gjermanisë lidhur me programin “Mbështetja e reformës në sektorin energjetik në Shqipëri”, i nënshkruar në vitin 2018, në një vlerë totale prej 250 milionë eurosh. Znj. Ibrahimaj theksoi se financimi jepet me terma më të favorshëm se kushtet e tregut dhe është i strukturuar në dy faza. Deputeti Eduart Ndreca në cilësinë e relatorit vlerësoi se projektligji është në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, si dhe Rregulloren e Kuvendit. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.


Share