Zëvendëspresidentja e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, znj. Mimi Kodheli merr pjesë në takimin e Këshillit Ndërparlamentar Ukrainë-NATO, në Bruksel.

  • Postuar më, 25/01/2022

Zëvendëspresidentja e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, znj. Mimi Kodheli mori pjesë në takimin e Këshillit Ndërparlamentar Ukrainë-NATO që u zhvillua ditën e djeshme në Bruksel. Këshilli përbëhet nga parlamentarë të vendeve të NATO-s dhe një delegacion i parlamentit të Ukrainës, i udhëhequr nga Zv.Kryetari i Parlamentit, (Rada Ukrainase).

Zv. sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mircea Geoana informoi anëtarët e Asamblesë lidhur me mbështetjen konkrete që Aleanca po i jep Ukrainës, në këto ditë të vështira për të, si dhe opsionet e mundshme në rast të eskalimit të mëtejshëm të situatës. Po ashtu Këshilli u njoh me qëndrimet e Polonisë, Turqisë, Italisë dhe SHBA-ve në lidhje me cështjen në fjalë, pasi ambasadorët e këtyre vendeve në NATO ju adresuan anëtarëve. 

Znj. Kodheli, në emër të Asamblesë, gjatë konferenës së përbashkët për shtyp në Selinë e NATO-s rikonfirmoi mbështetjen e Asamblesë për një partner të rëndësishëm NATO, Ukrainën. "Ne jemi në solidaritet të plotë me Ukrainën dhe mbështesim pa kushte sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Komunitetit ndërkombëtar ndan qëndrimin e zgjidhjes së çështjes nëpërmjet diplomacisë. Asambleja mbështet përpjekjet aktive diplomatike të aleatëve, në bashkëpunim të ngushtë me Ukrainën për të ndaluar agresionin rus dhe për të parandaluar konfliktin", u shpreh znj. Kodheli. Duke vijuar ajo tha se duhet të jemi të qartë se kjo krizë nuk lidhet vetëm me Ukrainën. "Veprimet e Rusisë venë në pikëpyetje rregullat ndërkombëtare të vendosura në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, pikërisht me qëllimin e vetëm për të mos u përballur përsëri më pasojat shkatërruese të një agresioni ushtarak", përfundoi zëvendëspresidentja Kodheli. 

Mbështetja për Ukrainën, nga ana e Asamblesë NATO nuk ka munguar. Këtë vit Asambleja ka parashikuar mbajtjen e sesionit të pranverës në Kiev, si një shenjë mbështetje ndaj këtij partneri në rrugën e tij drejt anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut.



Share