Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën për Organizatën Hidrografike Ndërkombëtare”

  • Postuar më, 16/02/2022

Në drejtimin e kryetarit z. Nasip Naço Komisioni për Sigurinë Kombëtare në cilësinë e komisionit përgjegjës, mori në shqyrtim projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën për Organizatën Hidrografike Ndërkombëtare”. 

E ftuar për të bërë prezantimin e projektligjit ishte znj. Dallëndyshe Bici, zëvendësministre në Ministrinë e Mbrojtjes. Në fjalën e saj, znj. Bici përmendi disa nga përfitimet e  anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Organizatën Ndërkombëtare të Hidrografisë, të cilat sipas saj janë: ruajtja dhe zhvillimi i kapaciteteve teknike dhe profesionale;mundësi për rritjen e zhvillimit ekonomik të vendit; rritja e sigurisë lundrimore në mjedisin detar, si dhe zhvillimi i marrëdhënieve me strukturat e tjera të sigurisë lundrimore.

Relatorori për komisionin, z. Denis Deliu, për sa u përket efekteve financiare të anëtarësimit, sqaroi se përllogaritja e kostos bëhet me formulë përkatëse, bazuar në tonazhin e flotës tregtare dhe anijeve të Forcës Detare mbi 100 ton, që me kapacitetet e vendit tonë mund të jetë rreth 8000 euro në vit. Ministria e Mbrojtjes ka realizuar përllogaritjet përkatëse. Efektet do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes. Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan në parim nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.


Share