Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit"

  • Postuar më, 07/03/2022

Në drejtimin e kryetarit z. Nasip Naço Komisioni për Sigurinë Kombëtare mori në shqyrtim projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit". I ftuar për të bërë shpjegimin e projektatit ishte z. Andi Mahila, zëvendësministër në Ministrinë e Brendshme dhe z.Eduart Merkaj, Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Emigracionin. 

Zëvendësministri Mahila gjatë  prezantimit të detajuar të projektligjit theksoi , midis të tjerave, se kjo marrëveshje synon të lehtësojë qarkullimin e banorëve të zonës kufitare, të cilët kanë të drejtë të qëndrojnë në zonën kufitare të palës tjetër, me kusht që kohëzgjatja e qëndrimit të tyre të mos jetë më e gjatë se 90 ditë brenda 180 ditëve. Ndër risitë dhe përfitimet e projektligjit, z. Mahila nënvizoi përmirësimin e  statusit dhe si rrjedhim  “zgjerimi i shërbimeve të pikës së përbashkët të kalimit kufitar të Shishtavecit, shfrytëzimi i së cilës do të bëhet në mënyrë të plotë nga banorët e zonës, përfshirë shërbimet doganore por dhe e hapur për kalim të çdo shtetasi, pa kufizim banimi” theksoi z. Mahila.

Z. Xhemal Qefalija, në cilësinë e relatorit, vlerësoi rëndësinë e nismës dhe u shpreh se kjo marrëveshje është një akt i rëndësishëm në kuadrin e afrimit dhe dakordësinë e të gjithë politikave që kemi me shtetin e Kosovës. Pas pyetjeve, sugjerimeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan në parim nen për nen dhe në tërësi projektin në fjalë.


Share