Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik miratoi projektligjin "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e pjesshme të zgjeruar për rrugët kulturore, miratuar me rezolutën CM/RES (2013) 66”

  • Postuar më, 15/03/2022

Në drejtimin e nënkryetarit z. Petro Koçi Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në cilësinë e komisionit përgjegjës mori në shqyrtim projektligjin "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e pjesshme të zgjeruar për rrugët kulturore, miratuar me rezolutën CM/RES (2013) 66”. Për të bërë një prezantom të detajuar të projektligjit, e ftuar në komision ishte znj. Meri Kumbe, zëvendësministre në Ministrinë e Kulturës. Znj. Kumbe theksoi midis të tjerave, se kjo marrëveshje synon të krijojë një hapësirë të përbashkët kulturore nëpërmjet zhvillimit të rrugëve kulturore, që synojnë të nxisin ndërgjegjësimin për trashëgiminë, arsimin, rrjetëzimin, turizmin ndërkufitar cilësor e të qëndrueshëm dhe aktivitete të tjera të ngjashme. Z. Besian Ajazi, në cilësinë e relatorit, kërkoi nga anëtarët  ta votonin projektin vlerësoi rëndësinë e nismës në promovimin e kulturës dhe trashegimisë kulturore ne botë. Z. Ajazi sa i përket rëndësisë së projektit theksoi se ai shërben për përforcimin e potencialit të rrugëve kulturore për bashkëpunim kulturor, zhvillim të qëndrueshëm territorial e kohezion social, me fokus të veçantë në temat me rëndësi simbolike për unitetin, historinë, kulturën e vlerat evropiane dhe në zbulimin e destinacioneve më pak të njohura. Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan në parim nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.


Share