Komisioni për Integrimin Europian miratoi tre projektligje

  • Postuar më, 28/03/2022

Në drejtimin e kryetares znj. Jorida Tabaku, komisioni për Integrimin Europian shqyrtoi projektligjin “Për zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme”.

 E ftuar për këtë projektligj ishte ministrja e Financave dhe Ekonomisë znj. Delina Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj në fjalën e saj u shpreh se ndryshimet në ligjin aktual janë tepër të domosdoshme dhe ky ligj ka ardhur tërësisht iri dhe gjithëpërfshirës. Projektligji mundëson krijimin e një një kuadri ligjor dhe institucional më të plotë, i cili iu përgjigjet nevojave të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme. Në këtë projektligj janë llogaritur si kosto për buxhetin e shtetit shuma për mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme nëpërmjet AIDA-s, në formën e mbështetjes financiare (grante) dhe shërbime mbështetëse (si trajnim, këshillim etj). Znj. Ibrahimaj po ashtu theksoi se ky ligj ka për objekt përcaktimin e rregullave, masave dhe politikave shtetërore për klasifikimin, nxitjen e krijimit dhe zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme.

Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, Nen për Nen dhe në tërësi.

Cështja e dytë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e grupeve vendore të veprimit”. Të ftuar për këtë projektligj ishin z. Dhimitër Kote Zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe znj. Julinda Bare Përgjegjëse Sektori nëkëtë ministri.

Zëvendësministri Kote, në prezantim të këtij projektligj u shpreh se ky projektligj ka për qëllim zbatimin e qasjes Bashkimit Evropian për zhvillimin rural me pjesëmarrje (qasja LEADER) nëpërmjet përcaktimit të parakushteve, për krijimin e funksionimin e grupeve vendore të veprimit (GVV), të cilat do të mundësojnë përfshirjen e komuniteteve lokale në identifikimin dhe zbatimin e strategjive të zhvillimit të udhëhequra nga komuniteti në varësi të nevojave të tyre, marrjen e vendimeve për alokimin e burimeve të tyre financiare dhe menaxhimin e tyre bazuar në zhvillimin e qëndrueshëm, sigurimin e një mjedisi për investimet në zonat rurale nga vetë komuniteti, ngritjen e kapaciteteve vendore etj.

Me miratimin e këtij projektligji përcaktohet baza për krijimin e GVV-ve dhe fillimi i zbatimit të programit të Bashkimit Evropian IPARD II, për mbështetjen e GVV-ve dhe financimin e strategjive lokale të zhvillimit.

Relatorja e cështjes znj. Gerta Duraku, tha se ky projektligj është konform Kushtetutës, konform Rregullores së Kuvendit dhe në përputhje të plotë me legjislacionin vendas, si dhe me legjislacionin e Bashkimit Evropian (EU Regulation 1305/2013 dhe EU Regulation 1303/2013).

Anëtarët vazhduan me komente dhe pyetje të ndryshme, ku pas të cilave, ky projektligj u miratua në parim, Nen për Nen dhe në tërësi, me ndryshimet përkatëse të propozuara dhe punuara me ndryshimet e dakordësuara.

Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e projektligjit “Për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik”, ku të ftuar ishin znj. Enkelejda Muça, Zëvendësministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe znj. Blerta Nerguti (Xhako) drejtore e Drejtorisë së Çështjeve Juridike dhe Integrimit, nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Objektivi që synohet të arrihet nëpërmjet miratimit të këtij projektligji është shfrytëzimi i plotë i potencialit të informacionit të sektorit publik për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare mbështetur në praktikat e Bashkimit Evropian. Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua në parim, Nen për Nen dhe në tërësi.


Share