Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi projektligjin “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe zbatimin e kontratës me shoqërinë “Jones Group International” për forcimin e sigurisë kibernetike”

  • Postuar më, 29/03/2022

Në drejtimin e kryetarit të komisionit z. Nasip Naço, Komisioni për Sigurinë Kombëtare, në cilësinë e komisionit përgjegjës, mori në shqyrtim projektligjin “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe zbatimin e kontratës me shoqërinë “Jones Group International” për forcimin e sigurisë kibernetike”. I pranishëm në komision për të bërë shpjegimin e projektatit ishte z. Ardi Veliu, zëvendësministër në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë

Në fjalën e tij gjatë prezantimit të ligjit, z. Veliu, shpjegoi se behet fjale per një akt lejues/autorizues dhe rregullator në të njëjtën kohë, i cili do t’u hapë rrugën një sërë veprimeve të tjera ligjore, me qëllim kontraktimin e drejtpërdrejtë të shoqërisë amerikane në realizimin e një sistemi të përshtatshëm e bashkëkohor kibernetik, i cili do të parandalojë sulmet kibernetike ndaj agjencive vendase dhe jo vetëm, si dhe do të plotësojë një prej detyrimeve kombëtare në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare si vend anëtar i NATO-s. “Kjo procedurë ligjore është edhe në vijim të dy marrëveshjeve të rëndësishme, një marrëveshje për nxitjen e investimeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një memorandum mirëkuptimi miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave të datës 11.1.2022 midis shtetit shqiptar dhe vetë kompanisë për forcimin e sigurisë kibernetike të infrastrukturës kritike për Shqipërinë, ku përcaktohen qartë të drejtat dhe detyrimet” theksoi ndër të tjera zëvendësministri.

Z. Xhemal Qefalija në cilësinë e relatorit, theksoi rëndësinë e miratimit të këtij projektligji duke i hapur rrugë negociimit të draftkontratës me shoqërinë “Jones Group International”, me qëllim përcaktimin e fushave në të cilat do të zhvillohet ky bashkëpunim ndërmjet palëve. Më tej z. Qefalija shtoi se,  siguria kibernetike është një cështje e sigurisë kombëtare, ndaj ky lloj shërbimi që ka të bëjë me interesin kombëtar nuk mund të kontraktohet në treg të lirë, por duhet t’i drejtohemi asaj pale që garanton partneritet dhe siguri për vendin tonë si një vend anëtar i NATO-s. Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan në parim nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.


Share