Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik seancë dëgjimore me Agjencinë për Media dhe Informim

  • Postuar më, 13/04/2022

Në drejtimin e nënkryetarit z. Petro Koçi, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi një seancë dëgjimore me Agjencinë për Media dhe Informim. 

Z. Koçi bëri me dije se, promotore e kësaj seance është opozita dhe se objekti i seancës është qëllimi i krijimit të Agjencisë, struktura dhe mënyra e funksionimit të saj.I pranishëm për të informuar komisionin mbi objektivat dhe mënyrën e funksionimit të kësaj agjencid ishte drejtori i Agjencisë për Media dhe Informim, z. Endri Fuga.Ndër objektivat, z. Fuga përmendi: informimin e publikut, informimin e medias, si dhe të informojë qeverinë për institucionet. “Komunikimi me publikun”për qeverinë theksoi drejtori i agjencisë “është një pikë e rëndësishme”. 

“Agjencia ka përgjegjësi të organizojë punën për të informuar dhe komunikuar me publikun dhe median, si dhe për të përgatitur qëndrimet dhe sondazhet e qeveritare mbi çështjet me interes publik. Agjencia ka gjithashtu, si mision të sigurojë transparencën në lidhje me politikat, aktivitetet, projektet, eventet, si dhe qëllimin, objektivat, risitë apo problematikat që zgjidhen nëpërmjet akteve të Këshillit të Ministrave dhe të akteve të tjera të ministrave dhe çdo institucioni të administratës shtetërore” shtoi z. Fuga. Ai tha se modeli është i ngjashëm me atë të agjecisë gjermane federale për shtypin dhe shtoi se AMI, ka disa ndryshime dhe është më modeste, si nga infrastuktura dhe nga numri i punonjësve dhe shtoi se kjo agjenci ka për qëllim të lehtësojë punën e gazetarëve. Lidhur me realizimin e sondazheve, z. Fuga tha se, agjencia e krijuar vetëm tre muaj më parë, nuk ka për qëllim të realizojë asnjë sondazh politik.

Sa i përket pyetjes se deputetëve mbi monitorimin e mediave, Fuga u shpreh se kjo është një praktikë që kryhet nga të gjithë, ministritë, opozita apo ambasadat, dhe ka për qëllim identifikimin e problematikave që përçon media, në mënyrë që qeveria t’i përgjigjet në kohë.


Share