Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi 4 projektligje dhe 1 Akt Normativ

  • Postuar më, 19/04/2022

Në drejtimin e kryetares znj. Mimi Kodheli, komisioni për Politikën e Jashtme shqyrtoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) (Agjencia e zbatimit të projektit) dhe KFË Frankfurt am Main (KFË), për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës”. Të ftuar për këtë projektligj ishin znj.Kesjana Halili Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Borxhit Publik dhe Bashkërendimit të Ndihmës së Huaj në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, znj. Elona Mistrovica Drejtor i Drejtorisë së Bashkërendimit dhe Sigurimit të Ndihmës së Huaj, z. Idlir Gjata Këshilltar në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, z. Gjergj Simaku, Zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Rudina Xhelilaj, Drejtor i Programeve të Zhvillimit në Fushën e Energjisë dhe Eficencën e Energjisë, z. Fatos Bundo, Drejtor i Njësisë se Menaxhimit te Projekteve për Sigurinë e Digave (KESH sh.a) dhe z. Ermal Nuri, Drejtor i Departamentit te Gjenerimit (KESH).

Në prezantim të këtij projektligji, zëvendësministri Simaku u shpreh se rehabilitimi i agregateve të Fierzës ka qenë një gjëndje urgjente sepse ato kanë bërë një punë të jashtëzakonshme gjatë 39 viteve dhe se çdo ditë ato bien pafundësisht duke shkaktuar humbje të mëdha në të paktën 4% të prodhimit të energjisë nga Fierza.

Pas diskutimeve, pyetjeve dhe komenteve të ndryshme, ky projektligj u miratua në parim, Nen për Nen dhe në tërësi.

Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e konventës së Këshillit të Evropës “Për aksesin në dokumente zyrtare”. Të ftuar ishin zëvendësministrja e Drejtësisë znj. Adea Pirdeni dhe z. Besmir Beja, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit.

Zëvendësministrja Pirdeni në fjalën e saj tha se miratimi i këtij projekt akti plotëson dhe zhvillon më tej kuadrin ligjor shqiptar për të drejtën e informimit, e drejtë e cila sanksionohet në Nenin 23 të Kushtetutës.

“Ky projektligj ka kaluar përmes të gjithë procesit të konsultimit të projektakteve me institucionet përgjegjëse.”, theksoi znj. Pirdeni.

Pas pyetjeve, komenteve dhe përgjigjeve, projektligji u miratua në parim, Nen për Nen dhe në tërësi.

Më tej, komisioni shqyrtoi edhe Aktin normativ nr. 6, datë 18.3.2022 “Për miratimin e disa ndryshimeve të nënshkruara (amendimi i tretë) në marrëveshjen për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Export B.V. dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik, miratuar me aktin normativ nr. 3, datë 18.1.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar. Të ftuar ishin znj. Vjollca Braho, Zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Eugena Tomini, Drejtor i Institutit të Shëndetit Publik, znj. Mejvis Kola, Drejtor.

Zëvendësministrja Braho, theksoi në fjalën e saj se nëpërmjet kësaj marrëveshje sigurohet blerja e 1 milionë vaksinave kalendarit të mirë përcaktuar, ku deri në fund të pranverës do vijnë 300 mijë dozat e para, në qershor 200 mijë doza, në shtator 200 mijë doza të tjera dhe deri në fund të tre mujorit të katërt do vijnë edhe 300 mijë doza të tjera, pra kompletohet numri i dozave për vitin 2022.

Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë Akt normativ me votë.

Po ashtu, mbledhja e sotme e komisionit miratoi edhe projektligjin “Për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për programin “UKT Shpërndarja e Ujit” si edhe projektligjin "Për Ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë franceze për zhvillim, për një hua të bazuar në politika për mbështetjen e barazisë gjinore në aksesin ndaj mundësive ekonomike në Shqipëri".

 


Share