Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi 3 projektligje të rëndësishme

  • Postuar më, 20/04/2022

Në drejtimin e kryetares znj. Mimi Kodheli, komisioni për Politikën e Jashtme, shqyrtoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e Bashkimit Evropian Horizont Evropa-programi kuadër për kërkimin dhe inovacionin”.

Të ftuar për këtë projektligj ishin znj Albana Tole Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportiit dhe znj. Mirela Muca Drejtore e Agjensisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit.

Në prezantim të këtij projektligji, zëvendësministrja Tole u shpreh se ky projektligj ka si qëllim përcaktimin e kritereve dhe kushteve që duhet të përmbushen nga ana e Republikës së Shqipërisë për pjesëmarrjen në programin Evropian “Horizont Evropa”.

Relatori i çështjes z. Etjen Xhafaj tha se ky program është në fakt programi çelës i BE për kërkimin dhe inovacion me një shumë totale prej 95.5 miliardë euro, i cili merret me një sërë problematikash që kanë të bëjnë si me ndryshimet e mëdha globale apo edhe me adaptimin e ekonomive të vendeve të tjera të cilët janë kandidat për antëraë të BE.

Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua në parim, Nen për Nen edhe në tërësi.

Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në aktet dhe dokumentet e Kongresit të 26-të të Bashkimit të Përbotshëm Postar, Stamboll 2016”. Të ftuar për këtë projektligj ishin zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë znj. Enkelejda Muca dhe znj. Irena Malolli, Drejtor i Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit të Telekomunikacionit dhe Postave në MIE.

Zëvendësministrja Muca, në fjalën e saj tha se projektligji vjen në vijim të praktikave të ndjekura pas çdo Kongresi të UPU-së dhe është në përmbushje të angazhimeve që Shqipëria ka si anëtare e kësaj organizate.  Projektligji synon harmonizimin e rregullimeve të brendshme në fushën e shërbimit postar me standardet dhe rregullat ndërkombëtare të miratuara nga Bashkimi i Përbotshëm Postar, UPU.

Relatori, z. Lavdrim Krrashi, u shpreh se ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është një mundësi shumë e mirë për të mbajtur shërbimin e postës shqiptare në një nivel të lartë, të krahasuar edhe me vendet e tjera më të zhvilluara.

Pas pyetjeve, komenteve dhe sugjerimeve të ndryshme, ky projektligj u miratua në parim, Nen për Nen dhe në tërësi.

Po ashtu, ditën e sotme komisioni shqyrtoi dhe projektligjin “Për ratifikimin e protokollit ndryshues të Konventës për Mbrojtjen e Individëve në lidhje me Përpunimin Automatik të të Dhënave Personale”. Të ftuar për këtë projektligj ishin zëvendësministrja E Drejtësisë znj. Adea Pirdeni dhe z. Besmir Beja Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit.

Zëvendësministrja Pirdeni në prezantim të projektligjit tha se kjo konventë së bashku me protokollet e saj ndryshuese përbën bazën e legjislacionit ndërkombëtar në fushën e Mbrojtjes së të Dhënave Personale për mbi 40 shtete dhe të vetmin instrument ligjor detyrues në nivel ndërkombëtar. Qëllimi i protokollit ndryshues, është modernizimi i Konventës (ETS 108) dhe protokollit shtesë të saj (ETS nr.181), me qëllim gjetjen e zgjidhjeve përballë këtyre sfidave dhe në të njëjtën kohë forcimin e mekanizmit të vlerësimit dhe mbikëqyrjes së konventës.

Në fund të prezantimit dhe diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, Nen për Nen dhe në tërësi.

 

 


Share