Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e Bashkimit Evropian “Horizont Evropa” programi kuadër për kërkimin dhe inovacionin”

  • Postuar më, 20/04/2022

Në drejtimin e nënkryetarit, z. Petro Koçi Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në cilësinë e komisionit përgjegjës, mori në shqyrtim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e Bashkimit Evropian “Horizont Evropa” programi kuadër për kërkimin dhe inovacionin”. E ftuar për të bërë një përmbledhje shpjeguese mbi projektatin ishte znj. Albana Tole, zëvendësministre në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, znj. Mirela Muça Drejtore e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit. 

Zëvendësministrja znj. Tole,  sqaroi si fillim se ky projektligji ka si qëllim dhënien e mundësisë Republikës së Shqipërisë për pjesëmarrjen në programin e Bashkimit Evropian Horizont Evropa - programi kuadër për kërkimin dhe inovacionin. Bashkimi Evropian synon që t’u përgjigjet kërkesave për të adresuar sfidat globale nëpërmjet kërkimit shkencor dhe inovacionit. 

“Kjo pjesëmarrje ka si qëllim të nxitjes së kërkimit shkencor dhe inovacionit për të zgjidhur sfidat globale dhe BE synon që përmes projektit “Horizont Europa’ të krijojë një treg të përbashkët dhe unik” shtoi znj. Tole.

Relatori i çështjes z. Besion Ajazi, duke pranuar që kërkimi dhe inovacioni janë drejtuesit kryesorë, si dhe mjetet thelbësore për një rritje të qëndrueshme për konkurrencën ekonomike dhe risitë, duke u bazuar në objektivat e zonës së rinovuar evropiane të kërkimit për të ndërtuar një zonë të përbashkët shkencore dhe teknologjike, shtoi se: “BE-ja synon të krijojë një treg të vetëm për kërkimin dhe inovacionin, duke nxitur dhe lehtësuar bashkëpunimin midis institucioneve të arsimit të lartë (IAL), duke shkëmbyer praktikat më të mira dhe duke zhvilluar një karrierë kërkimore në mbarë Evropën, duke lehtësuar lëvizshmërinë ndërkufitare dhe ndërsektoriale të studiuesve, duke nxitur lëvizjen e lirë të njohurive shkencore dhe inovacionit, duke promovuar respektimin e lirisë akademike dhe lirisë së kërkimit shkencor”

Pas pyetjeve, diskutimeve dhe sugjerimeve, anëtarët miratuan në parim nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.


Share