Komisioni për Integrimin Europian miratoi një projektligj
- Postuar më, 22/04/2022

Në
drejtimin e kryetares znj. Jorida Tabaku, Komisioni për Integrimin Europian shqyrtoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Këshillit
të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për
pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e Bashkimit Evropian
Horizont Evropa-programi kuadër për kërkimin dhe inovacionin”. Të ftuar për këtë
projektligj ishin znj. Albana Tole, zëvendësministre në Ministrinë e Arsimit
dhe Sportit, znj. Mirela Muça Drejtore e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit
Shkencor dhe Inovacionit, z. Florian Nurçe Përgjegjës Sektori në Drejtorinë e
Buxhetit dhe Menaxhimit Financiar, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe
znj.Voltisa Koçi Përgjegjëse Sektori në Drejtorinë e Programit, Standardizimit
dhe Harmonizimit të Kuadrit Rregullator, Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Zëvendësministrja
znj. Tole, sqaroi si fillim se ky projektligji ka si qëllim dhënien e mundësisë
Republikës së Shqipërisë për pjesëmarrjen në programin e Bashkimit Evropian
Horizont Evropa, programi kuadër për kërkimin dhe inovacionin. Bashkimi
Evropian synon që t’u përgjigjet kërkesave për të adresuar sfidat globale
nëpërmjet kërkimit shkencor dhe inovacionit.
“BE
synon të krijojë një treg të vetëm të kërkimit shkencor dhe inovacionit, duke
nxitur dhe lehtësuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Arsimit të Lartë,
në vende të ndryshme të Bashkimit Europian dhe në Rajon.”, theksoi znj. Tole.
Relatori
i çështjes z. Etjen Xhafaj, tha se në këtë projektligj trajtohet ndërkombëtarizimi
i arsimit të Lartë dhe rritja e kontributit të “Albanian excellence” në tregun
e punës nëpërmjet reformës së fondit të ekselencës, rritjes së aplikimeve
direkte individuale të studentëve dhe profesionistëve shqiptarë në
institucionet më të mira të arsimit të lartë, përfitimeve nga programet e
BE-së, përmes ERASMUS +, programeve arsimore të BE-së, që kanë si synim
modernizimin e sistemeve arsimore dhe përshtatjen e tyre për nevojat e tregut
të punës dhe botës në ndryshim etj.
Pas
diskutimeve, komenteve dhe pyetjeve të ndryshme, ky projektligj u miratua në
parim, Nen për nen dhe në tërësi.
Mbledhja
e komisionit vazhdoi me shqyrtimin e projektligjit “Për vreshtarinë dhe verën”. Të ftuar për këtë
projektligj ishin Z. Dhimiter Kote Zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit
Rural, z. Irfan Tarelli Drejtor i Përgjithshëm i Politikave dhe Programeve të
Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Bujqësisë dhe
Zhvillimit Rural dhe z. Alban Mësonjësi Drejtor i Programimit, Standardizimit
dhe Harmonizimit të Kuadrit Rregullator, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit
Rural.
Zëvendësministri
Kote, në prezantim të këtij projektligji tha se ky ligj ndjek vijueshmërinë,
certifikimin e të gjithë kultivarëve që mbillen sot në territorin e Shqipërisë.
Me
anë të këtij projektligji propozohet vendosja e rregullave për kultivimin e
vreshtave që përdoren për prodhimin e verës, regjistrin e vreshtarisë,
prodhimin, etiketimin, marketingun, potencialin e prodhimit dhe kontrollet e
produkteve të verës në Republikën e Shqipërisë, me qëllim përshtatjen me
kërkesat dhe standardet e tregut ndërkombëtar, mbrojtjen e interesave të
konsumatorëve duke ruajtur një konkurrencë të drejtë ndërmjet prodhuesve dhe
operatorëve të tjerë në sektorin e verës, nxitjen e përmirësimit të cilësisë së
produkteve, duke mundësuar, masa kombëtare për politikën e cilësisë në sektorin
e verës.
Pa
prezantimit të projektligjit, anëtarët e komisionit vazhduan me diskutime të
ndryshme.