Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi një projektligj dhe një draftrezolutë

  • Postuar më, 26/04/2022

Në drejtimin e kryetarit z. Arben Pëllumbi, komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, shqyrtoi projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në aktet dhe dokumentet e Kongresit të 26-të të Bashkimit të Përbotshëm Postar, Stamboll 2016”. E ftuar për të bërë një prezantim të këtij projektligji ishte zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë znj. Enkelejda Mucaj.

Në fjalën e saj znj. Mucaj u shpreh se projektligji propozon aderimin në dokumentet bazë të Bashkimit të Përbotshëm Postar (UPU-së), të miratuara nga Kongresi i Bashkimit të Përbotshëm Postar (UPU-së) të zhvilluar në Stamboll në vitin 2016. Projektligji synon harmonizimin e rregullimeve të brendshme në fushën e shërbimit postar me standardet dhe rregullat ndërkombëtare të miratuara nga Bashkimi i Përbotshëm Postar.

“Miratimi i ndryshimeve të miratuara në dokumentet bazë të UPU-së synon harmonizimin e rregullave për ofrimin e shërbimit postar ndërkombëtar.”, theksoi ndër të tjera zëvendësministrja Mucaj.

Relatori i çështjes z. Laert Duraj tha se ky ratifikim është i rëndësishëm për t’i hapur rruge kongreseve të tjera që janë goxha më konkrete në përfundimet e tyre dhe janë ndihmë më e madhe për postën shqiptare.

Projektligji vjen në vijim të praktikave të ndjekura pas çdo Kongresi të UPU-së dhe është në përmbushje të angazhimeve që Shqipëria ka si anëtare e kësaj organizate.

Pas diskutimeve, komenteve dhe sugjerimeve të ndryshme, ky projektligj u miratua në parim, Nen për Nen dhe në tërësi.

Më tej, komisioni vazhdoi me shqyrtimin e dreftrezolutës për veprimtarinë vjetore të Entit Rregullator të Energjisë. Relatori z. Anduel Tahiraj, në fjalën e tij tha se duke njohur Entin Rregullator të Energjisë si rregullatori i vetëm dhe i pavarur për mbikëqyrjen e funksionimit të tregut të energjisë elektrike, si edhe për ruajtjen e ekuilibrit ndërmjet interesave të konsumatorëve, shtetit dhe sipërmarrësve në këtë sektor, vlerëson për vitin 2021 punën e bërë nga ERE për ndarjen funksionale të OSHEE sh.a, si hap i rëndësishëm me ndikim të drejtpërdrejtë në liberalizimin e tregut të energjisë elektrike dhe hapjen e mëtejshme të tij. Po ashtu, z. Tahiraj vlerësoi punën e bërë nga ERE për zgjidhjen e ankesave të konsumatorëve, zvogëlimin e afateve të trajtimit të ankesave si edhe komunikimin dhe përpjekjet e vazhdueshme për të informuar konsumatorin në lidhje me të drejtat dhe detyrimet ndaj operatorëve të licencuar, por edhe për të drejtat e tyre në raport me ERE.

Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit miratuan draftrezolutën e ERE.

 


Share