Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë zhvilloi një seancë dëgjimore dhe miratoi një projektligj

  • Postuar më, 26/04/2022

Në drejtimin e kryetares, znj. Grida Duma Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, në kuadër të Ditës Botërore të Sigurisë dhe Shëndetit në punë zhvilloi sot, një  seancë dëgjimore publike me përfaqësues të shoqërisë civile dhe me përfaqësues të institucioneve publike. Të pranishëm ishin përfaqësues nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Qendra per te Drejtat ne Pune, Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim, Shoqata “Pro-Eksport Albania. Në fjalën e saj znj. Irida Qosja zëvendëskryeinspektore dhe Drejtore e Drejtorise se Inspektimit te Punes tha se,  28 Prill është Dita Botërore për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë “ditë kjo për të promovuar parandalimin e aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale në nivel global. Aktivitetet në kuadër të kësaj dite kanë qëllim përqendrimin e vëmendjes ndërkombëtare mbi trendin e zhvillimeve në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë e në veçanti të aksidenteve në punë dhe sëmundjeve-profesionale”. Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore si një organ i qeverisjes qëndrore, është përgjegjës për zbatimin e legjislacionit të punës nga të gjithë, punëdhënës e punëmarrës që ushtrojnë veprimatrinë e tyre në Republikën e Shqipërisë. Në kuader të operimit me veprime inspektuese, znj. Qosja paraqiti disa të dhëna nga inspektimet e kryera për vitin 2021 dhe periudhën Janar-Mars 2022: “Për vitin 2021 janë inspektuar me proçedurë standarte inspektimi (online) 7039 subjekte ekonomike private e shtetërore ku janë evidentuar të punësuar  184,206  punemarrës, ndërkohë që për 3 mujorin e parë 2022 janë inspektuar 2581 subjekte ku janë evidentuar të punësuar 51,917 punëmarrës” raportoi zëvendëskryeinspektorja. Pas diskutimit dhe ngritjes së problematikave të ndryshme lidhur me punën për kontrollin dhe minimizimin e informalitetit në tregun e punës, numri i punëmarrësve që punojnë pa kontratë individuale pune, problematikat lidhur me funksionimin e sistemit të sigurisë dhe shëndetit në punë, komisioni vendosi të vijojë diskutimet me përfaqësues të shoqërisë civile edhe në mbledhjet e tij të radhës. 

Në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi komisioni vijoi me shqyrtimin e projektligjit "Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë franceze për zhvillim, për një hua të bazuar në politika për mbështetjen e barazisë gjinore në aksesin ndaj mundësive ekonomike në Shqipëri." Projekt-akti ishte prezantuar më herët në komision dhe në mbledhjen e sotme u vijua me marrjen e përgjigjeve të adresuara më parë për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Të pranishëm në mbledhje ishin  znj.Kesjana Halili, Drejtore e Drejtorise se Pergjithshme te Borxhit Publik dhe Bashkerendimit te Ndihmes se Huaj dhe stafi teknik i MFE.   Pas diskutimeve anëtarët miratuan projektligjin në fjalë dhe ia kaluan për shqyrtim seancës plenare.


Share