Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi projektigjin "Për ratifikimin e konventës së Këshillit të Evropës "Për aksesin në dokumente zyrtare"

  • Postuar më, 26/04/2022

Në drejtimin e kryetarit z. Nasip Naço Komisioni për Sigurinë Kombëtare në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi. mori në shqyrtim  projektigjit "Për ratifikimin e konventës së Këshillit të Evropës "Për aksesin në dokumente zyrtare". E ftuar ishte znj. Adea Pirdeni zëvendësministre në Ministrinë e Drejtësisë e cila në mënyrë të përmbledhur bëri një shpjegim të projektatit, qëllimit dhe synimeve të tij. Për sa i përket qëllimit të projektligjit, znj. Pirdeni sqaroi se ai konsiston në plotësimin e kuadrit ligjor për të garantuar të drejtën e aksesit në dokumente zyrtare. “Transparenca e autoriteteve publike është një tipar kyç i qeverisjes së hapur për pjesëmarrjen e qytetarëve në çështjet me interes publik. E drejta e qasjes në dokumente zyrtare është gjithashtu thelbësore për ushtrimin dhe realizimin e të drejtave themelore të njeriut. Ajo gjithashtu forcon legjitimitetin e autoriteteve publike në sytë e publikut dhe besimin e tij në to” vijoi znj. Pirdeni. 

Në cilësinë e relatorit z. Denis Deliu ftoi kolegët ta miratonin projektligjin, me arsyetimin se, ai synon garantimin efektiv të së drejtës për akses në dokumente zyrtare, duke siguruar një burim informacioni për publikun, ndihmon publikun që të krijojë një opinion për gjendjen e shoqërisë dhe për autoritetet publike, nxit integritetin, efikasitetin, efektshmërinë dhe përgjegjshmërinë e autoriteteve publike, duke ndihmuar në këtë mënyrë konfirmimin e legjitimitetit të tyre. Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.


Share