Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi në parim një projektligj dhe zhvilloi seancë dëgjimore mbi veprimtarinë vjetore të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2021

  • Postuar më, 27/04/2022

27 prill 2022

Në drejtimin e kryetarit, z. Eduard Shalsi, komisioni për Ekonominë dhe Financat në dy seanca mbledhjesh, përgjatë ditës së sotme, shqyrtoi një projektligj dhe zhvilloi një seancë dëgjimore, në kuadër të raportimeve vjetore të institucioneve të pavarura. Gjatë seancës së parë u shqyrtua raporti i veprimtarisë vjetore të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2021, çështje për të cilën ishin ftuar z. Genci Mamani, Drejtor i Përgjithshëm, i shoqëruar nga stafi i ASD-së.  

Z. Mamani në prezantimin e raportit parashtoi se puna e ASD përgjatë vititi 2021 është përqendruar në ndjekjen dhe zbatimin e rekomandimeve të Kuvendit dhe dokumentet strategjike të institucionit; duke sqaruar më tej projektet dhe iniciativat ligjore të ndërmarra përgjatë kësaj periudhe për rritjen e nivelit të kapaciteteve operacionale, financiare, rregullatore, etj,. “Duke vlerësuar maksimalisht situatën në vijim të pandemisë, në bashkëpunim të ngushtë me BSH dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë kemi ndërmarrë hapa konkretë për rritjen e aftësisë paguese të agjencisë. Marrëveshja me Bankën Europianë për Rindërtim dhe Zhvillimin për të përfituar linjën e kredisë në dispozicion prej 100 milionë euro është një nga zhvillimet kryesor për vitin 2021. Kjo linjë kredie konsiderohet si një mekanizëm më shumë që u shtohet elementeve të sigurisë të skemës të sigurimit të depozitave në Shqipëri, duke qenë se ajo do të forcojë aftësinë financiare të skemës së sigurimit të depozitave duke garantuar likuiditetin e nevojshëm në rast ngjarjeje sigurimi brenda një kohe shumë të shkurtër, 7 ditë, si dhe do të rrisë nivelin e mbrojtjes së depozituesve duke përmirësuar nivelin e mbulimit si në nivel depozitash të siguruara, ashtu dhe në nivel institucionesh financiare, të cilat janë pjesë e skemës së sigurimeve”, u shpreh z.Mamani. Duke iu referuar nivelit të depozitave, z.Mamani theksoi se pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia totali i depozitave të sistemit bankar dhe shoqëri të kursim kreditit ka pasur trend rritës. “Gjatë vitit 2021 kemi siguruar depozitat e depozituesve në 12 banka të sistemit, si dhe në 9 shoqëri kursim-krediti. Në fund të vitit 2021 ishte 1,433 mld lekë, ndërsa totali i depozitave në shoqëri të kursim kreditit ishte 9.6 mld lekë. Depozitat gjatë vitit 2021 njohën një rritje prej 11.4 % në sistemin bankar dhe pothuajse 9.9% në shoqëri të kursim kreditit”, detajoi z.Mamani. Deputeti z.Alban Xhelili në cilësinë e relatorit vlerësoi punën e institucionit dhe përmbushjen e rekomandimeve të lëna nga Kuvendit në Rezolutën për vitin e kaluar.  

Seanca e dytë e mbledhjes së komisionit vijoi me shqyrtimin në parim të projektligjit “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”, për të cilën morën pjesë edhe deputetët znj.Ina Zhupa, znj.Andia Ulliri dhe z. Kastriot Piroli.

Të ftuar në mbledhjen e komisionit për prezantimin e projektligjit ishin: znj.Elva Margariti, ministre e Kulturës, znj.Entela Çipa, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës dhe z. Alban Shanaj, përfaqësuesi ligjor i firmës “Tashko &Pustina”.

Ministrja Margariti gjatë prezantimit shpjegoi thelbin e marrëveshjes, rolin e Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, si dhe theksoi se modeli që po aplikohet i hap udhën një mundësie të re të menaxhimit të trashëgimisë kulturore, që ka rezultuar i suksesshëm ndër vite në shumë sittë të trashëgimisë botërore, si: Britania e Madhe, Versajë, Itali, etj.  Znj.Margariti sqaroi se mbi bazën e marrëveshjes, Butrinti do të menaxhohet nga një fondacion i posaçëm, i cili është bashkë-themeluar midis Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), i cili do të funksionojë sipas ligjit shqiptar për OJF-të dhe sipas kompetencave që i jep ligji “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.  “Nuk kemi të bëjmë me një koncesion, që në themel të funksionimit ka fitimin, por është një fondacion tërësisht jo-fitimprurës që si qëllim të vetëm ka mirëmenaxhimin e aseteve Parkut Kombëtar të Butrintit, që është gjithashtu një pasuri botërore, nën mbrojtjen e UNESCO-s dhe respekton të gjitha rekomandimet e rëndësishme të mirëcaktuara dhe mirëkoordinuara me UNESCO-n që në fazën e planit të menaxhimit të integruar”, u shpreh znj.Margariti, duke shtuar se marrëveshja nuk është sekrete dhe se pronësia e territorit dhe aseteve të Butrintit i mbetet Ministrisë së Kulturës, si përfaqësues i shtetit.  Ministrja Margariti sqaroi se AADF sipas marrëveshjes, do të jetë në rolin e donatorit dhe nuk mund të përfitojë asnjë të ardhur apo investim. Bordi do të jetë organi më i lartë vendimmarrës, i cili përbëhet nga 2 anëtarë nga Ministria e Kulturës, 2 anëtarë nga  AADF dhe 1 ekspert i jashtëm ndërkombëtar  i fushës,  i përgjedhur nga ministria, ndërsa kryetar do të jetë ministri i Kulturës. Lidhur me shpenzimet, znj.Margariti sqaroi se do të auditohen nga një prej 4 kompanive më të mëdha të auditimit në botë, ndërsa përfitimet e shtetit do të jenë jo vetëm në konservim dhe restaurim të trashëgimisë, por dhe në asetet e reja që do të krijohen do ti mbeten Butrintit edhe në përfundim të marrëveshjes. “Aktualisht Parku Kombëtar i Butrintit përveç faktit që vazhdon dhe financohet nga buxheti i shtetit për shumë aspekte operacionale është i vetmi aset që ne kemi që mban 90% të të ardhurave në kasën e Butrintit dhe 10% i derdh në kasën e shtetit. Në momentin e krijimit të Fondacionit 100% e të ardhurave e Butrintit do të mbesin në kasën e tij dhe duke filluar menjëherë, që nga viti i parë operacional i Fondacionit do të fillojmë të kemi një përqindje progresive të derdhjes së të ardhurave në fondin e madh të kujdesit të trashëgimisë kulturore”, sqaroi znj.Margariti.  Deputetja znj.Anila Denaj në cilësinë e  relatores theksoi se nuk bëhet fjalë për tjetërsim pronësie, si dhe vlerësoi rëndësinë e marrëveshjes për mirëmenaxhimin e integruar të Butrintit, por dhe zhvillimin e komunitetit lokal nëpërmjet rritjes së fondeve, investimeve në përmirësimin e infrastrukturës turistike, rritjes së punësimit, etj. Më pas deputetët e komisionit drejtuan një sërë pyetjesh,  për të cilat me dakordësi u vendos që ministrja t’iu përgjigjej në një nga mbledhjet e radhës së komisionit.

 


Share