Kuvendi mblidhet në seancë plenare: miratohen tri projektrezoluta dhe 4 projektligje
- Postuar më, 28/04/2022

28 prill 2022
Në drejtimin e Kryetares, znj. Lindita Nikolla, Kuvendi u mblodh sot në seancën plenare të radhës. Pika e parë e rendit të ditës ishte një seancë pyetje-përgjigjesh kërkuar nga deputetja e grupit parlamentar demokrat, znj.Ina Zhupa me ministrin e Brendshëm, z.Bledar Çuçi, lidhur me heqjen e përfaqësuesit të shoqërisë civile nga Komisioni Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët. Znj.Zhupa parashtroi se përbërja e Komisionit është zvogëluar në 5 anëtarë, nga 6 që ka qenë, ku katër janë përfaqësues të ministrive dhe një i SHISH, duke hequr vetëm përfaqësuesin e Ojf-ve. “Nuk kuptohet pse është nevoja për ta shkurtuar dhe pse preket përfaqësuesi i shoqërisë civile dhe jo i të tjerëve. Këshilli i ka dërguar shkresë ministrisë dhe nuk ka marrë përgjigje për këtë”, u shpreh znj.Zhupa. Në përgjigje, ministri i Brenshëm sqaroi se në ligjin e ri “Për azilin” në Shqipëri, përcaktohet qartë që Komisioni Kombëtar për Azilin të përbëhet nga pesë anëtarë. Lidhur me pyetjen e mospërfshirjes së përfaqësuesit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, ministri Çuçi sqaroi se: “Ligji është miratuar në shkurt të 2021, në 5 korrik të 2021 i kemi dërguar KShH, një variant të VKM-së ku e kishim përfshirë edhe KShH, dhe nuk kemi marrë përgjigje deri më 29 tetor të vitit 2021. Pra, më shumë se tre muaj pa përgjigje. Ndërkohë sigurisht duke mos marrë përgjigje nga KShH ne vazhduam me ngritjen e Komisionit”. Në përmbyllje ministri garantoi se përfaqësues të KShH, si dhe çdo Ojf tjetër që mbron të drejtat e azilkërkuesve apo refugjatëve, do të jenë pjesë në çdo mbledhje të Komitetit Administrativ si vëzhgues, edhe për të dhënë opinione drejtpërdrejtë brenda Komisionit Administrativ. Më pas pas diskutimet vijuan sipas rendit të ditës, ku u shqyrtuan 3 projektrezoluta të tre institucioneve të pavaruara lidhur me raportimin e veprimtarisë përgjatë vitit 2021, si dhe 4 projektligje. Gjatë seancës së sotme, me propozim të deputetit Tritan Shehu, Kuvendi mbajti një minutë heshtje në përkujtim të Masakrës së Mejës, ku më datën 27 Prill 1999 nga policia dhe ushtria serbe u ekzekutuan 372 civilë kosovarë.
Projektrezolutat
Komisioneri
për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Instituti i
Studimeve për Krimet edhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri, Enti Rregullator i
Energjisë paraqitën në seancën e sotme raportet vjetore të veprimtarive të tyre
për vitin 2021. Drejtuesit e këtyre institucioneve, z. Besnik Dervishi për
Zyrës së Komisionerit, z. Çelo Hoxha për ISKK-në dhe z. Petrit Ahmeti për ERE
raportuan në Kuvend për veprimtaritë e institucioneve përkatëse. Përmes
rezolutës së paraqitur nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën
Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Kuvendi i rekomandon Zyrës së Komisionerit
për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ndër të tjera:
të përmbyll brenda vitit 2022 hetimin administrativ, mbi publikimin e databazës
me të dhënat e pagave të qytetarëve të punësuar në sektorin publik dhe privat
dhe asaj të të dhënat e targave të automjeteve; të luajë rol aktiv në
përmbylljen e procedurave për modernizimin e kuadrit ligjor; të vijojë
monitorimin dhe mbikëqyrjen proaktive të autoriteteve publike për verifikimin e
përditësimit të Programit të Transparencës dhe të Regjistrit të kërkesave dhe
përgjigjeve, me qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në
veprimtarinë e tyre; të nxisë forcimin e rolit të koordinatorit për të drejtën
e informimit; të vijojë shtrirjen e instalimit të sistemeve elektronike AMS dhe
REKPDI në sa më shumë autoritete publike; të angazhohet në krijimin e Rrjetit
të nëpunësve për mbrojtjen e të dhënave personale; të angazhohet në
bashkëpunimin me qytetarë dhe grupe interesi për njohjen e kuadrit të
modernizuar ligjor në të dy fushat e përgjegjësisë dhe rritjen e
ndërgjegjësimit për zbatimin e tij, etj. Projektrezoluta u miratua nga Kuvendi
me 74 vota pro, 24 kundër dhe 3 abstenim.
Institutit
të Studimeve për Krimet edhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri, Kuvendi i
rekomandoi 7 pika për tu përmbushur përmes një projektrezolute, ku mes të
tjerash iu kërkua: të rinovojë marrëveshjen me ministrinë përgjegjëse për
arsimin për rritjen e aksesit në shkolla të informacionit për krimet e
komunizmit dhe të pasojave të tij në Shqipëri; të krijojë një bazë të dhënash
të viktimave të burgjeve dhe kampeve; të organizojë aktivitete për angazhimin e
të rinjve, duke përdorur forma inovative të informimit për krimet dhe pasojat e
komunizmit në vendin tonë; të zgjerojë bashkëpunimin me shoqatat vendase dhe të
diasporës, me qëllim mbledhjen e dëshmive që janë jashtë kufijve, si një burim
potencial për zgjerimin e arkivës audiovizuale apo kolanës së botimeve; të
publikojë në faqen zyrtare procedurën e rekrutimit të Këshillit Shkencor dhe
vendimmarrjet e këtij Këshilli; Bordi i ISKK të angazhohet në zbatimin e Kodit
të Etikës së institucionit, etj. Projektrezoluta u miratua nga Kuvendi me 99 vota
pro, 0 kundër dhe 2 abstenim.
Kuvendi i
rekomandoi Entit Rregullator të Energjisë përmes projektrezolutës të paraqitur
nga Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin që: ERE në
bashkëpunim me MIE dhe aktorët e tjerë në fushën e energjisë të luaj një rol
aktiv në hartimin e një plani konkret, për të bërë të mundur lehtësimin e
barrierave, promovimin, si dhe incentivimin e impianteve të vetëprodhimit të
energjisë nga burime të rinovueshme (veçanërisht nga dielli dhe era); hartimin
sa më parë të Metodologjisë së përcaktimit të çmimit të blerjes së energjisë
elektrike të prodhuar nga vetëprodhuesit, si dhe të luaj një rol proaktiv për
zgjidhjen e problematikave të ndryshme që lindin nga instalimi i burimeve të
vogla të rinovueshme; bërja funksionale brenda vitit 2022 të bursës së
energjisë; mbështetjen me ekspertizën teknike për të bërë të mundur ndërtimin e
rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes së gazit natyror, si dhe të bëjë
propozime konkrete në funksion të mundësive të reja të krijuara për zhvillimin
dhe shfrytëzimin e tregut të gazit; miratimi dhe nisja nga zbatimi i
Rregullores mbi Masat e të Licencuarve në Aktivitetin e Furnizimit për Arritjen
e Treguesve të Matjes dhe Vlerësimit nga ERE të Performancës së Shërbimit ndaj
klientit; monitorim me rigorozitet i problematikave që kanë lidhje me mbrojtjen
e të drejtave të konsumatorëve të energjisë elektrike; të punojë për
sensibilizimin e konsumatorit mbi përdorimin eficient të energjisë elektrike
çka përkthehet në kursim energjie dhe më pak kosto për vetë konsumatori; të
vijojë të kërkojë mundësinë e instalimit gradual të matësve inteligjentë,
bazuar në një analizë kosto-përfitim dhe të mbulimit me rrjetin e
telekomunikacionit, etj. Kuvendi e miratoi këtë projektrezolutë me 75 vota pro,
23 kundër dhe 3 abstenim.
Projektligjet
Në seancën
e sotme Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi 4 projektligje, e më konkretisht: “Për
ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë
(huamarrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe
Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) (Agjencia e zbatimit të
projektit) dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës”; “Për ratifikimin e konventës së Këshillit të
Evropës “Për aksesin në dokumente zyrtare”; “Për aderimin e Republikës së
Shqipërisë në aktet dhe dokumentet e Kongresit të 26-të të Bashkimit të
Përbotshëm Postar, Stamboll 2016” dhe “Për ratifikimin e marrëveshjes
ndërkombëtare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe
Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e
Bashkimit Evropian, Horizont Evropa-programi kuadër për kërkimin dhe
inovacionin”. Gjatë shqyrtimit të
projekligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së
Shqipërisë (huamarrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë,
dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) (Agjencia e zbatimit të
projektit) dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës”, znj.Belinda
Balluku ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, në cilësinë e nismëtarit të
projekt-aktit u shpreh se marrëveshja e huas, në vlerën 40 milionë euro, do të
përdoret për rehabilitimin e Hidrocentralit të Fierzës, në të cilin është
ndërhyrë për herë të fundit në vitin 2005. Shfrytëzimi i këtij hidrocentrali
për një periudhë mbi 40 vjet ka bërë që gjendja teknike e agregateve të jetë
kritike dhe të ketë nevojë për ndërhyrje urgjente. Znj.Ballaku duke parashtruar
projektet që janë ndërmarrë në rehabilitimin e hidrocentraleve në vend gjatë
viteve të fundit, theksoi se të gjitha këto ndërhyrje kanë si synim rritjen e
eficencës së prodhimit të çdo turbine dhe rrjedhimisht edhe eficencën e këtyre
hidrocentraleve. “Për ta bërë më të kuptueshme për publikun, nëse përpara
rehabilitimit të turbinave të këtyre hidrocentraleve prodhimi ishte më pak se
90% e kapacitetit të tyre, menjëherë pas përfundimit të investimeve
rehabilituese prodhimi i tyre arrin në 100% të kapaciteteve”, u shpreh
znj.Balluku. Gjatë diskutimeve, deputeti i grupit parlamentar “Aleanca për
Ndryshim”, z. Dashamir Shehi pavarësisht se vlerësoi se kredia është marrë me
terma të favorshme financiare, u shpreh se nevojiten të merren masa për
diversifikimin e energjisë dhe të gjenden zgjidhje reale për sistemin
elektro-energjetik shqiptar. “Kemi vite që flasim për energjinë diellore. Deri
sot nuk është arritur asgjë. Duhet të liberalizojmë ligjin për sa i përket
paneleve diellore që kompanitë private shqiptare, të cilat që nga ky vit do të
detyrohen ta blejnë në treg të lirë energjinë, të kenë mundësi ta prodhojnë
vetë e të bëhen vetë investitorë në këtë fushë”, u shpreh z. Shehi. Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua me 79
vota pro, 22 kundër dhe 0 abstenim.
Seanca
vijoi diskutimet me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e konventës së
Këshillit të Evropës “Për aksesin në dokumente zyrtare”, i cili konsiston në
plotësimin e kuadrit ligjor për të garantuar të drejtën e aksesit në dokumente
zyrtare për të drejtën e informimit duke e zgjeruar informacionin që mund të
kërkohet nga autoritetet publike dhe për të garantuar të drejtën e aksesit në
dokumente zyrtare në mënyrë që të respektohen standardet më të mira në
ushtrimin dhe realizimin e të drejtave themelore të njeriu. Konventa parashikon
të drejtën e çdo personi, pa u diskriminuar për ndonjë shkak, për akses në dokumente
zyrtar dhe akordimin e së drejtës së qasjes në dokumente zyrtare për të gjithë,
pavarësisht nga motivet dhe qëllimet e tyre. Kufizimet e të drejtës për akses,
sipas Konventës, lejohen vetëm për mbrojtjen e interesave të caktuar, të tilla
si: siguria kombëtare, mbrojtja, privatësia, etj. Gjatë diskutimeve u vlerësua
se projektligji do të shërbejë si instrument ligjor për të rritur transparencën
dhe për të nxitur integritetin, efikasitetin dhe përgjegjshmërinë e
autoriteteve publike. Ky projektligj u miratua me 98 vota pro, 2 kundër dhe 1
abstenim.
Diskutimet
vijuan me shqyrtimin e projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë
në aktet dhe dokumentet e Kongresit të 26-të të Bashkimit të Përbotshëm Postar,
Stamboll 2016”, i cili synon harmonizimin e rregullimeve të brendshme në fushën
e shërbimit postar me standardet dhe rregullat ndërkombëtare të miratuara nga
Bashkimi i Përbotshëm Postar, dhe vjen në përmbushje të angazhimeve që
Shqipëria ka si anëtare e kësaj organizate. Ky projektligj u miratua me 97 vota
pro, 1 kundër dhe 3 abstenim.
Në rendin
e diskutimeve të ditës ishte edhe shqyrtimi i projektligjit “Për ratifikimin e
marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së
Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë
në programin e Bashkimit Evropian, Horizont Evropa-programi kuadër për kërkimin
dhe inovacionin”, i cili synon përcaktimin e kritereve dhe kushteve për
pjesëmarrjen e Shqipërisë dhe institucioneve të saj kërkimore shkencore në
programin Horizont-Evropa. Programi, financohet nga BE për të mbështetur dhe
nxitur kërkimin shkencor në hapësirën evropiane të kërkimit. Përmes bashkimit
të kërkimit shkencor dhe inovacionit, “Horizont Evropa” synon të sigurojë
prodhimin e një shkence të nivelit më të lartë, duke mënjanuar pengesat dhe
lehtësuar bashkëpunimin ndërmjet sektorit publik dhe privat. Ky projektligj u miratua me 99 vota pro, 1 kundër
dhe 1 abstenim.
Seanca i
mbylli punimet rreth orës 19:30.