Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, përshëndet në Konferencën “Sfidat aktuale të sistemit të drejtësisë dhe procesit të demokratizimit në Shqipëri”, organizuar nga Universiteti Mesdhetar: Sfida e vërtetë e sistemit është dhënia e drejtësisë dhe barazia reale e shtetasve para ligjit
- Postuar më, 29/04/2022

Kryetarja
e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, përshëndeti sot në Konferencën “Sfidat
aktuale të sistemit të drejtësisë dhe procesit të demokratizimit në Shqipëri”,
organizuar nga Universiteti Mesdhetar.
Në
Konferencë morën pjesë deputetë të Kuvendit, anëtarë të kabinetit qeveritar,
drejtues të institucioneve të sistemit të drejtësisë, pedagogë dhe ekspertë të
drejtësisë nga universitete të vendit dhe të huaja. Ishte i pranishëm edhe
Ambasadori i OSBE-së, z. Vincenzo Del Monaco.
Në
fjalën e mbajtur në Konferencë, Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, u
fokusua në sfidat e reformës në drejtësi dhe kontributin e Kuvendit të
Shqipërisë në përballimin e tyre.
“Reforma
në drejtësi lindi nga një nevojë e madhe kombëtare, politike, institucionale
dhe zhvillimore, lindi nga një realitet i hidhur, por i vërtetë: sistemi i
vjetër i drejtësisë ishte bërë një pengesë për zhvillimin e vendit dhe mbi 95
për qind e shqiptarëve kërkonin pastrimin e sistemit.
Sistemi
vuante nga dy sëmundje që dukeshin të pashërueshme: varësia e
instrumentalizimi politik dhe korruptimi.
E
keqja që ushqente sistemi i drejtësisë po krijonte një treg të padrejtë, një
ekonomi të padrejtë, një shoqëri të padrejtë, me varfëri, pasiguri e pabarazi
sociale ekstreme. Një shoqëri ku pandëshkueshmëria ishte bërë një fakt që
pranohej si pa gjë të keq.
Prandaj
reforma në drejtësi po pastron “hauret e Avgjisë” të një sistemi të kalbur dhe
po rindërton një drejtësi të pavarur, të paanshme, profesionale dhe me
integritet.
Asnjë
reformë tjetër nuk ka pasur largpamësinë e vizionit, thellësinë e veprimit,
principialitetin e zbatimit, forcën goditëse ndaj të keqes, aftësitë
rindërtuese të organeve të reja dhe, ajo që është më e rëndësishmja, mbështetjen
qytetare, publike dhe të partnerëve ndërkombëtare si reforma në drejtësi. Ishte
vendosmëria e Kuvendit që ndërmorëm këtë reformë, miratuam ndryshimet
kushtetuese dhe paketën e ligjeve, miratuam zgjatjen e afateve të funksionimit
të organeve të vetting-ut dhe po punojmë për të çuar deri në fund zbatimin e
saj. Dëshiroj të falenderoj EURALIUS-in, OPDAT-in, Ambasadën e Shteteve të
Bashkuara dhe të Bashkimit Europian, ambasadat, misionet dhe ekspertët nga
shtetet partnere, në bashkëpunim e sinergji me të cilët iniciuam dhe po
zbatojmë këtë reformë. Reforma eci paralelisht në tri drejtime:
Realizimin e ndryshimeve ligjore, të cilat kanë përfunduar; Ngritjen e bërjen
funksionale të institucioneve të reja të qeverisjes së sistemit; Kryerjen e rivlerësimit
kalimtar të gjyqtarëve e prokurorëve.
Një
korpus ligjor prej 35 aktesh është miratuar dhe përbën kuadrin e plotë ligjor
për zbatimin e reformës.
Kuvendi
ka ushtruar dhe po ushtron përgjegjësitë edhe për ngritjen e organeve të reja
të qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Kuvendi ka miratuar të gjitha
strukturat organizative dhe burimet njerëzore, financiare e materiale për
organet e vetingut.
Vetting-u
i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një proces teknik, i cili ka nxjerrë jashtë
sistemit shumicën e subjekteve që janë rivlerësuar.
Është
domethënës fakti se nga 521 vendime të marra nga Komisioni i Pavarur i
Kualifikimit ndaj gjyqtarëve, prokurorëve, ndihmësve ligjorë, vetëm 202 ose
rreth 39 për qind e vendimeve kanë qenë për konfirmimin në detyrë.
Askush,
as parandjenjat më të guximshme, nuk e kishin parashikuar se e keqja kishte
hyrë kaq thellë dhe procesi do të kishte kaq vështirësi, rezistencë, pengesa e
dhimbje.
Gjatë
zbatimit u bindëm se vetting-u, si një proces teknik dhe rigoroz rivlerësimi,
nuk do të kishte sukses pa një qasje dhe lidership adaptiv, i cili do të
kërkonte, dhe kërkoi në fakt, rishikimin e tërë mekanizmave të sistemit.
Ky
proces na bindi se sistemi nuk ka nevojë vetëm për institucione dhe individë,
por për frymën e së drejtës. Kjo frymë po përfshin dhe po shkund në mënyrë
kapilare gjithë sistemin, madje gjithë shoqërinë.
Reforma
në drejtësi po dëshmon se bashkëpunimi i Kuvendit me botën akademike është
nevojë jetike dhe instrument vital për t’i shërbyer vendit. Sinergjia midis
pushtetit legjislativ dhe “pushtetit të dijes” po shërben si një garant jo
vetëm i konceptimit, por edhe i zbatimit të reformës.
Qëndrimet
parimore të Kuvendit të Shqipërisë kontribuan që reforma në drejtësi të ishte
një proces i pakthyeshëm dhe i panegociueshëm, një kontribut origjinal në
konsolidimin e institucioneve demokratike.
Reforma në sistemin e drejtësisë ishte gjithashtu një rast për të
verifikuar raportin midis demokracisë liberale dhe ligjshmërisë. Përvoja
jonë në realizimin e reformës në drejtësi na ndihmon të reflektojmë dhe
kontribuojmë për modernizimin e sistemit tonë politik, ku udhë harta e
veprimeve tona politike duhet të jenë Kushtetuta dhe ligjet.
Por
sfida e vërtetë e sistemit të drejtësisë është dhënia e drejtësisë dhe barazia
reale e shtetasve para ligjit. Pandëshkueshmëria luftohet atëherë kur
askush nuk është mbi ligjin, por askush nuk është poshtë tij. Për këtë, të
gjithë duhet të reflektojnë e të zhvillojnë përgjegjësitë që u takojnë.”,
theksoi në fjalën e saj Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.
Më poshtë fjala e plotë e Kryetares së
Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, në Konferencën “Sfidat aktuale të sistemit të
drejtësisë dhe procesit të demokratizimit në Shqipëri”, organizuar nga
Universiteti Mesdhetar.
Të
nderuar miq,
Ju
falenderoj për ftesën në këtë Konferencë, e cila trajton një aspekt të
rëndësishëm për sistemin politik, sistemin e drejtësisë, shoqërinë dhe
qytetarët shqiptarë.
Theksoj
në mënyrë të veçantë qytetarët. Sepse sistemi i drejtësisë, sado i pavarur, i
paanshëm dhe profesional, nuk është një sistem për vete, por një sistem për
shoqërinë.
Më
lejoni që në këtë fjalë të shkurtër timen, të fokusohem në sfidat e reformës
në drejtësi dhe kontributin e Kuvendit të Shqipërisë në përballimin e
tyre.
Reforma
në drejtësi është një kontribut kombëtar i Kuvendit të Shqipërisë, një shërbim
për shoqërinë dhe qytetarët, për shtet-bërjen, fuqizimin e sistemit demokratik,
zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e vendit.
Reforma
në drejtësi lindi nga një nevojë e madhe kombëtare, politike, institucionale
dhe zhvillimore, lindi nga një realitet i hidhur, por i vërtetë: sistemi i
vjetër i drejtësisë ishte bërë një pengesë për zhvillimin e vendit.
Kur
nisëm reformën, mbi 95 për qind e shqiptarëve kërkonin pastrimin e sistemit.
Sistemi
vuante nga dy sëmundje që dukeshin të pashërueshme: varësia e
instrumentalizimi politik dhe korruptimi.
Sistemi,
nga një degë qeverisjeje e pavarur në shërbim të Republikës dhe qytetarëve,
ishte shndërruar në një varé që godiste kundërshtarët politikë.
Nga
një sistem që duhej të jepte drejtësi, ishte një sistem ku e drejta shitej e
blihej, duke goditur jo vetëm të drejtën, por edhe pronën, zhvillimin, tregjet,
mirëqenien dhe liritë themelore të qytetarëve.
Pra,
e keqja që ushqente sistemi i drejtësisë shkonte përtej sistemit dhe po
krijonte një treg të padrejtë, një ekonomi të padrejtë, një shoqëri të padrejtë,
me varfëri, pasiguri e pabarazi sociale ekstreme.
Një
shoqëri ku pandëshkueshmëria ishte bërë një fakt që pranohej si pa gjë të keq.
Prandaj
nuk e teproj kur them se reforma në drejtësi po pastron “hauret e Avgjisë” të
një sistemi të kalbur dhe po rindërton një drejtësi të pavarur, të paanshme,
profesionale dhe me integritet.
Asnjë
reformë tjetër nuk ka pasur largpamësinë e vizionit, thellësinë e veprimit,
principialitetin e zbatimit, forcën goditëse ndaj të keqes, aftësitë
rindërtuese të organeve të reja dhe, ajo që është më e rëndësishmja,
mbështetjen qytetare, publike dhe të partnerëve ndërkombëtare si reforma në
drejtësi.
Ishte
vendosmëria e Kuvendit që ndërmorëm këtë reformë, miratuam ndryshimet
kushtetuese dhe paketën e ligjeve, miratuam zgjatjen e afateve të funksionimit
të organeve të vetting-ut dhe po punojmë për të çuar deri në fund zbatimin e
saj.
Nuk
jam këtu për të bërë një bilanc të reformës. Por nuk mund të mos përmend
EURALIUS-in, OPDAT-in, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit
Europian, ambasadat, misionet dhe ekspertët nga shtetet partnere, në
bashkëpunim e sinergji me të cilët iniciuam dhe po zbatojmë këtë reformë.
Reforma,
as ishte, dhe as është e lehtë për t’u zbatuar. Ajo eci paralelisht në
tri drejtime:
i)
Realizimin e ndryshimeve ligjore, të cilat kanë përfunduar;
ii)
Ngritjen e bërjen funksionale të institucioneve të reja të qeverisjes së
sistemit;
iii)
Kryerjen e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve e prokurorëve.
Një
korpus ligjor prej 35 aktesh është miratuar dhe përbën kuadrin e plotë ligjor
për zbatimin e reformës.
Paketa
përfshin ndryshimet në ligjin për Pushtetin Gjyqësor, ligjin për Statusin e
Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ligjin për Gjykatën Kushtetuese, ligjin për
Prokurorinë e Përgjithshme, ligjin për SPAK, Kodin Penal, ligjin për Policinë
Gjyqësore si dhe ndryshimet në ligjet procedurale Kodin e Procedurës Civile,
Kodin e Procedurës Penale dhe ligjin për Gjykatat Administrative dhe gjykimin e
mosmarrëveshjeve administrative.
Këto
ligje kontribuan në rritjen e eficencës, efektshmërisë dhe mirë-administrimit
të sistemit të drejtësisë, duke mbështetur ngritjen e organeve të reja të
qeverisjes së sistemit dhe garantuar funksionimin e tij.
Hartimi
dhe miratimi i legjislacionit të reformës në drejtësi pati një dimension të
fuqishëm pjesëmarrës dhe u realizua në konsultim të ngushtë me organet e
qeverisjes së sistemit të drejtësisë, me mbështetjen e ekspertëve nga vendet
partnere, të pedagogëve të fushës së drejtësisë, studentëve të magjistraturës,
gjyqtarëve, prokurorëve dhe këshilltarëve të sistemit.
Gjithashtu,
Kuvendi ka ushtruar dhe po ushtron përgjegjësitë edhe për ngritjen e organeve
të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë.
Zgjodhëm
Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Inspektorin e
Lartë të Drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm dhe po mbështesim nevojat e tyre
për burime njerëzore, financiare dhe investime.
Zgjodhëm
anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe kontribuam në bërjen funksionale të
këtij organi të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë, duke nxitur edhe
institucionet e tjera që ngarkon Kushtetuta, të përshpejtojnë realizimin e
detyrimeve të tyre. Nëse Shqipëria ka sot Gjykatë Kushtetuese, merita e parë
dhe më e madhe është e Kuvendit.
Zgjodhëm
dhe mbështetëm Komisionin e Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e
Zbatimit të Ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë.
Mbështetëm
ngritjen e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, institucione që po
funksionojnë dhe po i përgjigjen nevojës kombëtare e shoqërore për luftë kundër
pandëshkueshmërisë.
Kuvendi
ka miratuar të gjitha strukturat organizative dhe burimet njerëzore, financiare
e materiale për organet e vettingut.
Vetting-u
i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një proces teknik, i cili ka nxjerrë jashtë
sistemit shumicën e subjekteve që janë rivlerësuar.
Është
domethënës fakti se nga 521 vendime të marra nga Komisioni i Pavarur i
Kualifikimit ndaj gjyqtarëve/prokurorëve/ndihmësve ligjorë, vetëm 202 ose rreth
39 pë rqind e vendimeve kanë qenë për konfirmimin në detyrë.
Askush,
as parandjenjat më të guximshme, nuk e kishin parashikuar se e keqja kishte
hyrë kaq thellë dhe procesi do të kishte kaq vështirësi, rezistencë, pengesa e
dhimbje.
Gjatë
zbatimit u bindëm se vetting-u, si një proces teknik dhe rigoroz rivlerësimi,
nuk do të kishte sukses pa një qasje dhe lidership adaptiv, i cili do të
kërkonte, dhe kërkoi në fakt, rishikimin e tërë mekanizmave të sistemit.
Ky
proces na bindi se sistemi nuk ka nevojë vetëm për institucione dhe individë,
por për frymën e së drejtës. Kjo frymë po përfshin dhe po shkund në mënyrë
kapilare gjithë sistemin, madje gjithë shoqërinë.
Reforma
në drejtësi po dëshmon se bashkëpunimi i Kuvendit me botën akademike është
nevojë jetike dhe instrument vital për t’i shërbyer vendit. Sinergjia midis
pushtetit legjislativ dhe “pushtetit të dijes” po shërben si një garant jo
vetëm i konceptimit, por edhe i zbatimit të reformës.
Qëndrimet
parimore të Kuvendit të Shqipërisë kontribuuan që reforma në drejtësi të ishte
një proces i pakthyeshëm dhe i panegociueshëm, një kontribut origjinal në
konsolidimin e institucioneve demokratike.
Reforma
në sistemin e drejtësisë ishte gjithashtu një rast për të verifikuar raportin
midis demokracisë liberale dhe ligjshmërisë.
Sepse
nuk kanë munguar në ligjërimin publik, politik e parlamentar disa
interpretime mbi të ashtuquajturin kufizim të demokracisë për shkak të këmbënguljes
për ligjshmëri.
Përvoja
jonë në realizimin e reformës në drejtësi na ndihmon të reflektojmë dhe të
kontribuojmë për modernizimin e sistemit tonë politik, ku udhëharta e veprimeve
tona politike duhet të jenë Kushtetuta dhe ligjet.
Të
nderuar miq,
As
korpusi ligjor i miratuar, as vettingu, as ngritja e institucioneve të reja të
sistemit nuk janë qëllim në vetvete.
Sfida
e vërtetë e sistemit të drejtësisë është dhënia e drejtësisë dhe barazia reale
e shtetasve para ligjit.
Pandëshkueshmëria
luftohet atëherë kur askush nuk është mbi ligjin, por askush nuk është poshtë
tij.
Për
këtë, të gjithë duhet të reflektojnë e të zhvillojnë përgjegjësitë që u
takojnë.
Në
këtë kontekst dhe për këtë arsye dëshiroj edhe njëherë të falenderoj
Universitetin Mesdhetar për organizimin e kësaj konferencë si edhe folësit për
impenjimin dhe kontributet e tyre.
Ju
faleminderit dhe punë të mbarë.