Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, mesazh me rastin e 1 Majit: Përballë njerëzve të punës, përgjegjësia jonë politike shumëfishohet

  • Postuar më, 01/05/2022

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, ka përshëndetur sot njerëzit e punës me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punës.

“Sot është Dita e mirënjohjes ndaj punëtorëve.

Ndaj thjeshtësisë e madhështisë së njerëzve të punës.Atyre që ditë pas dite, në heshtje, me mundin, durimin dhe talentin e tyre, ndërtojnë jetën e familjeve dhe të ardhmen e fëmijëve. Historia e vërtetë e Shqipërisë është historia e njerëzve të punës. Që lodhen, kontribuojnë dhe dalin në pension, duke u trashëguar brezave shembullin e tyre. Që me modelin e tyre të të punuarit e të jetuarit me nder, i japin jetë Shqipërisë. Prandaj, sa më të denja të jenë kushtet e punës dhe paga e punëtorëve, aq më e fortë bëhet ekonomia. Sa më i fortë të jetë dhe sa më shumë të dëgjohet zëri i tyre, aq më e drejtë bëhet shoqëria. Si legjislatore dhe Kryetare e Kuvendit, sot ndjehem më shumë e detyruar, për ligje më të mira për njerëzit, botën e punës dhe nevojat e familjeve punëtore. Përballë njerëzve të punës, që krijojnë të mirat për familjet e tyre dhe për Shqipërinë, përgjegjësia jonë politike shumëfishohet.”, shkruan në mesazhin e saj Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.



Share