Mirënjohje Shqipërisë për mbështetjen! Presidenti i Ukrainës, z. Volodymyr Zelensky, iu drejtua Kuvendit të Shqipërisë drejtpërdrejt nga Kievi

  • Postuar më, 03/05/2022

Në drejtimin e Kryetares znj. Lindita Nikolla, Kuvendi i Shqipërisë u mblodh ditën e sotme në një seancë të posacme.  Presidenti i Ukrainës,  z. Volodymyr Zelensky iu drejtua Kuvendit nëpërmjet platformës  ZOOM, drejtpërdrejtë nga Kievi.  Në këtë seancë ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Ukrainës  në Shqipëri, z. Volodymyr Shkurov. Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, në fjalën hapëse të kësaj seance u shpreh se Presidenti Zelenksy është në krye të ushtrisë dhe popullit të Ukrainës për mbrojtjen e atdheut dhe se lidershipi i forte dhe rezistenca e pashembullt e ushtrisë dhe e popullit të Ukrainës, kanë fituar mbështetjen e të gjithë faktorëve ndërkombëtarë.

“Shqipëria, gjithashtu, i është bashkuar kësaj mbështetjeje. Në bashkërendim me aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian,  kemi mbështetur sanksionet ekonomike dhe masat diplomatike të ndërmara nga partnerët ndaj Federatës Ruse, dhe ndihmën ushtarake dhe humanitare për Ukrainën dhe popullin e saj.”, theksoi kryetarja Nikolla.

Presidenti Zelensky, në fjalën e tij drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, falenderoi dhe vlerësoi shtetin shqiptar për mbështetjen e dhënë për Ukrainën. Ai tha se nuk ka pasur asnjë ditë paqeje për ukrainasit që nga data 24 shkurt e këtij viti. 

“Të nderuar, populli i Shqipërisë, dje myslimanët në të gjithë botën festuan Bajramin! Ju përgëzoj! Gjatë këtij muaji, myslimanët e Ukrainës nuk kanë pasur asnjë ditë të vetme paqësore. Kështu ne jetojmë nga 24 shkurti. Dhe si pasojë një bombardimi në Odessa një djalë 14-vjeçar ka humbur jetën, dhe është plagosur edhe një 17-vjeçare! 220 fëmijë janë vrarë dhe 406 janë plagosur deri tani.”, vuri në dukje presidenti z. Zelensky.

Po ashtu, z. Zelensky përcolli në mesazhin e tij se mbështetja në kohë të vështira për popullin e tij i kujton Nënë Terezën, shqiptaren që u kthye në simbolin e humanizmit në të gjithë botën. “Ajo na mësoi se humanizmi mund të mposhtë të keqen. Besoj se duke punuar bashkë me të gjithë europianët, ne do jemi në gjendje të ndalojmë këtë luftë dhe të jemi në gjendje të mbrojmë Europën në të ardhmen.”, u shpreh Presidenti i Ukrainës. 

Kryeministri,  z. Edi Rama, në fjalën e tij në këtë seancë të posaçme, tha se janë shumë të rralla në tridhjetë vjet pluralizëm, rastet kur në këtë parlament palët kanë rënë dakord, dhe mbështetja e rezistencës ukrainase ndaj pushtuesve rusë, është një nga ato raste, edhe më të rralla, kur të gjithë këtu, kemi qenë dakord pa as më të voglin diskutim.

“Por ne kemi besuar qysh në fillim, se nëse në aspektin e mbështetjes materiale vendi ynë nuk mund të bëjë asnjë diferencë në këtë luftë, Shqipëria mund të jetë e vlefshme për Ukrainën me zërin e saj, qoftë në tryezën e NATO-s, qoftë në tryezën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku kemi pasur nderin të jemi edhe bashkënismëtarë të disa qëndrimeve domethënëse kundër agresionit rus. Pasnesër, më 5 maj, Shqipëria do të jetë e pranishme edhe në Konferencën e Donatorëve, të thirrur nga Polonia në Varshavë, ku do të japim edhe ne kontributin tonë modest.”, tha ndër të tjera Kryeministri i vendit z. Rama.

Seanca e posacme, përfundoi rreth orës 13:35.


Share