Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti Ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, z. Gabrielius Landsbergis: Mbështetja e Ukrainës, momentum për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor

  • Postuar më, 04/05/2022

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti sot Ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, z. Gabrielius Landsbergis, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri dhe në disa vende të Ballkanit Perëndimor.

Kryetarja Nikolla vuri në dukje se “Shqipëria dhe Lituania  kanë një bashkëpunim shumë të mirë dypalësh dhe këtë vit shënojmë 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Vendet tona janë  janë partnere të ngushta në NATO. Shqipëria i është mirënjohëse Lituanisë për mbështetjen e vendosur për integrimin evropian, çeljen e negociatave dhe mbajtjen sa më shpejt të Konferencës së Parë Ndërqeveritare.”

Znj. Nikolla shprehu gjithashtu mirënjohjen për ndihmën e Lituanisë për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Ministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë, z. Gabrielius Landsbergis, nënvizoi se Lituania është e vendosur për përshpejtimin e ritmeve të integrimit evropian të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.  Ky është një proces i bazuar në meritën dhe Shqipëria e ka merituar mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me arritjet dhe reformat  e kryera.

Kryetarja Nikolla dhe Ministri Landsbergis diskutuan edhe mbi pasojat e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës si edhe mbështetjen e Shqipërisë dhe Lituanisë ndaj luftës së popullit ukrainas për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit. Mbështetja e luftës së popullit të Ukrainës është një momentum edhe për përshpejtimin e ritmeve të integrimit të Shqipërisë, Maqedonisë  së Veriut dhe Ballkanit Perëndimor.

Gjatë takimit u bisedua edhe mbi mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit dypalësh në fushat e  investimeve, arsimit, kulturës, turizmit, etj.

 


Share